SPAK po heton 66 tenderë për abuzime gjatë vitit 2021
Skandali me tenderët, si ai për uniformat e policisë, tenderi në Lushnjë që çoi pas hekurave kryebashkiakun Fatos Tushe, tenderi në Radio Televizionin Shqiptar apo ai në Zjarrfikësen e Durrësit, janë vetëm maja e ajzbergut.
SPAK ka regjistruar gjatë këtij viti 72 procedime penale për shkelje të barazisë në tenderë apo ankande publike. Vetëm 5 prej tyre janë dërguar për gjykim ndërsa për 66 tenderë të tjerë vijojnë hetimet. Për shkak të ligjit tenderët që po heton nuk bëhen publik. Për hetimet mbi tenderët me probleme SPAK vihet në lëvizje nga kallëzimet direkte të kompanive, raporte të kontrollit të lartë të shtetit apo hetime me iniciativë dhe referime te policisë. Shkelja e barazisë në tenderë apo ankande publike në bazë të kodit penal dënohet me burgim deri në 3 vjet.