PZAP merr vendim për ankesën e Bekim Jasharit, s’ka rinumërim të vendvotime
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP) ka refuzuar ankesat e kandidatit për kryetar të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari për pretendimet e parregullsive gjatë procesit zgjedhor më 17 tetor.
Kryetari aktual që synonte edhe një mandat qeverisës në Skenderaj bëri ankesë në PZAP duke kërkuar që të hapen kutitë e votimit dhe të rinumërohen votat në disa vendvotime. Por që PZAP ka refuzuar këtë kërkesë të Jasharit.
Në vendim të PZAP-së thuhet se “Refuzohet e pabazuar pjesa e apelit A.nr.724/2021 e datës 29.10.2021, e parashtruar nga Lista e Pavarur-Bekim Jashari me seli në Skenderaj, me të cilën ka kërkuar që të hapen kutitë e votimit dhe të rinumërohen vendvotimet 2122b/01D dhe 2101 X/01R, si shkak i parregullsive gjatë procesit të votimit, për zgjedhjet lokale të Republikës së Kosovës të mbajtura me datën 17.10.2021”.
Më poshtë sjellim vendimin e PZAP-së:
https://pzap.rks-gov.net/wp-content/uploads/2021/11/2.Anr_.724-Vendim.pdf
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), të premten më 29 tetor bëri certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 17 tetor 2021.
Në vendimin e KQZ-së për certifikim të rezultateve përfundimtare për kryetar të komunave nuk u përfshinë katër komuna: Podujevë, Shtime, Ferizaj dhe Kllokot.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se në këto komuna nuk janë certifikuar rezultatet shkaku i ankesave që kanë parashtruar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Elezi ka thënë se KQZ është në pritje të vendimit nga ana e PZAP-së lidhur me këto ankesa.
“Sipas njoftimeve nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, në këtë institucion janë paraqitur ankesa për rezultatin përfundimtar në këto komuna. KQZ është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të këtyre ankesave”, ka thënë Elezi.