Vuçiç: Republika Sërpska nuk po e shkatërron Marrëveshjen e Dejtonit
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 2 nëntor se nuk e ka lexuar raportin e Përfaqësuesit të lartë të komunitetit ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, në të cilin thuhet se ekziston rrezik nga shpërbërja e këtij shteti dhe për konflikte reale, por shtoi se ka kuptuar se akuzat kryesore janë kundër Republikës Sërpska, dhe se ky entitet i Bosnjës po dëshiron ta shkatërrojë Marrëveshjen e Dejtonit.
Të gjithë të tjerët kanë shkelur Marrëveshjen e Dejtonit, jo Republika Sërpska, por unë dua ta lexoj raportin me kujdes”, ka thënë Vuçiq në një fjalim për televizionin Pink, nga Glasgou, ku po mbahet Samiti i Kombeve të Bashkuara për Klimën. Vuçiq ka thënë se në Glasgou, nuk është takuar me kryetarin e presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Zhellko Komshiq. Në një raport për Kombet e Bashkuara, të parë nga gazeta britanike Guardian, Schmidt tha se nëse “separatistët serbë zbatojnë kërcënimet e tyre për rikrijimin e ushtrisë së tyre, duke i ndarë forcat e armatosura kombëtare në dysh”, atëherë në Bosnje do të duhet të dërgohen më shumë paqeruajtës ndërkombëtarë, për ta ndaluar rrëshqitjen e vendit drejt një lufte të re. Detyrat paqeruajtëse ndërkombëtare në Bosnje aktualisht i ka një forcë e Bashkimit Evropian, e njohur si Eufor, që i ka rreth 700 trupa. NATO-ja ka një seli formale në Sarajevë. Në raportin e tij të parë që nga marrja e postit në muajin gusht, Schmidt tha se Bosnja po përballet me “kërcënimin më të madh ekzistencial të periudhës së pasluftës”. “Mungesa e përgjigjes ndaj situatës aktuale do të rrezikojë [Marrëveshjen e Dejtonit], ndërsa paqëndrueshmëria në Bosnje do të kishte implikime më të gjera rajonale. Perspektivat për ndarje të mëtejshme dhe konflikt janë shumë reale”, citon Guardian përfaqësuesin ndërkombëtar, Schmidt. Udhëheqësi serb i Bosnjës, Millorad Dodik, është duke kërcënuar me ndarjen e Republika Sërpskës - entitet i banuar me shumice serbe - nga pjesa tjetër e Bosnjës.