Britania po tenton të zhvendosë emigrantë të paligjshëm në Shqipëri
Me fluksin e emigrantëve të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar përmes kanalit me rrezik të lartë Le Mansh, qeveria britanike po kërkon t'i zhvendosë ata në Shqipëri, në një lëvizje, dimensionet ligjore të së cilës janë të paqarta.
Sipas IRNA, qeveria e Londrës shpreson që përmes një marrëveshjeje me Tiranën, brenda shtatë ditëve të transferojë në Shqipëri emigrantët e paligjshëm që mbërrijnë në Britaninë e Madhe me gomone, duke i dhënë fund krizës së emigrantëve. Sipas qeverisë britanike, perspektiva e pritjes së gjatë në Shqipëri ndërkohë që kërkesat për azil janë duke u përpunuar në Britani, mund të veprojë si një pengesë për imigracionin e paligjshëm në Britani. Burimet britanike të lajmeve raportojnë mbi bisedimet prapaskenave mes Londrës dhe Tiranës për krijimin e një qendre refugjatësh në Shqipëri. Ky zhvillim vjen në një kohë kur Britania duket e frustruar me një marrëveshje me Francën për të frenuar imigracionin e paligjshëm. Pavarësisht ardhjes së dimrit, kriza në Kanalin Le Mansh sa vjen e përkeqësohet, saqë të enjten e kaluar numri i personave që kanë hyrë ilegalisht në vend ka arritur nivelin më të lartë. Një burim qeveritar i tha Times se zhvendosja e emigrantëve në një vend të huaj është aktualisht alternativa më e mirë, sepse asnjë metodë tjetër nuk është efektive. Megjithatë, Ministria e Brendshme britanike ishte e kujdesshme për të përmendur çdo marrëveshje me Shqipërinë, duke i përshkruar bisedimet si "në fazë të hershme". Sigurisht që plani për transferimin e emigrantëve në Shqipëri do t'i imponojë kosto të konsiderueshme qeverisë britanike. Kostoja e fluturimit dhe qëndrimit në Shqipëri vlerësohet në rreth 100,000 paund për çdo migrant. Kjo është më shumë se dyfishi i kostos së mbajtjes së një të burgosuri në Angli dhe Uells për një vit.