Osmani: Diskursi nxitës nga Serbia është burim i destabilizimit në rajon
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga zv.kryeministrja dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, si dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, gjatë vizitës në Kanada, në margjina të Forumit Ndërkombëtar për Siguri në Halifax ka takuar një delegacion të Senatit amerikan në përbërje të të cilit ishin senatorët Jeanne Shaheen, Joni Ernst, Chris Coons dhe James Risch.
Presidentja Osmani ka falënderuar senatorët amerikanë për mbështetjen që i ka dhënë dhe po i jep ShBA-ja vendit tonë dhe ka potencuar se marrëdhëniet me këtë shtet mik janë ekzistenciale dhe strategjike. Ajo vlerësoi se Kosova është shembull i suksesshëm i mbështetjes amerikane.
Më tej, presidentja Osmani i ka njoftuar senatorët amerikanë në lidhje me përpjekjen e Kosovës për reforma gjithëpërfshirëse, të cilat synojnë posaçërisht forcimin e sundimit të rendit e ligjit, si dhe krijimin e një mjedisi të favorshëm për investime të huaja.
Në këtë takim, presidentja ka potencuar se diskursi nxitës nga Serbia është burim i destabilizimit në rajon, njësoj sikurse edhe tendencat ruse për shtrirjen e ndikimit negativ në rajon.
Ajo theksoi se ky ndikim synon zhbërjen e arritjeve të SHBA-ve, BE-se dhe NATO-s në rajon lidhur me paqen, stabilitetin, demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Senatorët falënderuan Kosovën për pranimin e refugjatëve afganë dhe realizimin e misionit të parë paqësor jashtë vendit të ushtarëve të FSK-së përkrahë Ushtrisë Amerikane në Kuvajt, duke rikonfirmuar kështu partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Amerikës dhe kontributin për paqe e siguri në botë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Kanada, në margjina të Forumit Ndërkombëtar për Siguri në Halifax është takuar me deputetët gjermanë: Jürgen Hardt, Peter Beyer, Stephan Mayer dhe Roderich Kieseëetter.
Në takim me deputetët gjermanë, presidentja Osmani ka theksuar se marrëdhëniet me shtetin gjerman janë të shkëlqyeshme dhe se ky shtet paraqet partner strategjik për Kosovën.
Sipas presidentes Osmani, Kosova ka nevojë për mbështetjen gjermane edhe më tej, posaçërisht në rrugën evropiane, sikurse edhe atë të aplikimit për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Presidentja Osmani ka ritheksuar se Kosova tashmë ka përmbushur kriteret për liberalizim dhe ka kërkuar që BE-ja ta mbajë premtimin e vet kundrejt qytetarëve të Kosovës.
Sipas një komunikate të Presidencës, në takim me deputetët gjermanë, Osmani ka theksuar se Kosova është konstruktive në dialogun me Serbinë, porse ka përmendur diskursin nxitës nga pala serbe, sikurse edhe shtrirjen e ndikimit rus në Ballkan për ta destabilizuar rajonin.
Presidentja Osmani, në këtë kontekst, ka theksuar se dialogu me Serbinë duhet të marrë fund me njohje të ndërsjellë dhe ka ritheksuar se Kosova nuk do të bëhet pjesë e asnjë organizimi rajonal në të cilin nuk trajtohet e barabartë.