Deklarata e Albin Kurtit shkakton reagime në Serbi
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti përsëriti edhe një herë në një intervistë për revistën online “Monocle” se do të votonte pro nëse do të prezantohej një referendum demokratik për bashkim me Shqipërinë.
“Në të ardhmen nëse do të prezantohej si një referendum demokratik në mënyrë paqësore do të votoja pro, por e përsëris prapë, vetëm nëse do bëhej në mënyrë paqësore dhe demokratike”, ka thënë Kurti kur është pyetur se si do të votonte në një referendum për bashkim me Shqipërinë. Kryeministrja serbe Ana Brnabiq e cilësoi si deklaratë që në të ardhmen mund të destabilizojë seriozisht të gjithë rajonin. "Ajo deklaratë është vetëm një gur tjetër në minimin e themeleve të stabilitetit rajonal dhe sigurisë rajonale. Deklarata mund të shkaktojë trazira të mëdha në të gjithë rajonin. Politika e Albin Kurtit është e qartë, të cilën ai duket se nuk e fsheh. Ajo që e shqetëson më shumë është mungesa e reagimeve të komunitetit ndërkombëtar”, tha kryeministrja serbe për mediet vendase. Bërnabiç kërkoi reagimin e Viola von Cramon, raportuese evropiane për Kosovën, për këtë deklaratë. E pyetur nëse është e mundur që një skenar i tillë të ndodhë në të ardhmen, Brnabiq është përgjigjur se dyshon, por është e nevojshme që të gjithë aktorët ndërkombëtarë të thonë se është e pamundur.