Meta në Kosovë: Të konkretizohen marrëveshjet mes dy vendeve
Presidenti Ilir Meta është takuar me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti gjatë vizitës zyrtare në Prishtinë.
Temat më të rëndësishme që u diskutuan ishin marrëdhëniet mes dy shteteve si dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura në mbledhjet e përbashkëta, ku presidenti Meta kërkoi konkretizim të tyre, në prag të takimit mes dy qeverive. Meta vlerësoi mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë si shembull i demokracisë. Kreu i shtetit shqiptar theksoi se sa i përket dialogut me Serbinë, thelbësor mbetet bashkëpunimi i brendshëm i politikës në Kosovë, ndërkohë që nuk la pa cekur edhe nismën “Open Balkan” për të cilën tha se nuk garanton stabilitetin, sigurinë dhe paqen në rajon.Edhe kryeministri i Kosovës Kurti përsëriti qëndrimin se nuk mund të ketë “Ballkan të Hapur” kur Serbia është e mbyllur ndaj Kosovës, nuk ia njeh diplomat, dokumentet e identifikimit, certifikatat e vulat doganore.Presidenti Meta u takua edhe me homologen e tij nga Kosova, Vjosa Osmani.Gjatë takimit me presidentin Meta, Osmani foli edhe rreth dialogut që Kosova po zhvillon me Serbinë.Sipas Osmanit, Kosova ka dëshmuar gatishmëri për vazhdimin dialogut, por nuk do të jetë pjesë e asnjë aranzhmani, i cili nuk e garanton sovranitetin, integritetin dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës.Në këtë kontekst, presidentja Osmani tha se së bashku me Shqipërinë duhet të angazhohen për ta përçuar mesazhin në rajon dhe në botë për rrezikun që i kanoset Ballkanit nga politika agresive dhe hegjemoniste e Serbisë.