Deputetët kërkojnë hetim për qumështin pluhur, qeveria i vë taksë
Shqipëria importon rreth 1400 ton qumësht pluhur në vit dhe nga 2022, çdo litër do taksohet me 100 lekë. Qeveria pretendon që me këtë taksë të kufizojë përdorimin e tij.
Por debatet e fundit në kuvend ngrenë dyshime për përdorimin ilegal të tij nga fabrikat vendase. Edhe ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ka folur për dyshime, madje për një produkt, sasia e të cilit shtohet nga viti në vit, por që nuk dihet se ku përdoret. Mbi këtë debat, Kryetari i Komisionit Eduard Shalsi ka kërkuar të hetohet përdorimi i këtij qumështi. Sipas shifrave të INSTAT 2020, në Shqipëri kishte 2.7 milionë krerë lopë e bagëti të imëta, ku 30% e prodhimit të tyre, konsumohet direkt nga familjet e shitet në treg. Por, sipas prodhimit vjetor që deklarojnë fabrikat vendase, në Shqipëri duhet të ketë 20-fishin e bagëtive aktuale, një argument ky që të çon te leverdia e përdorimit të qumështit pluhur.