Liderët e Kosovës urojnë festën e Ditës së Flamurit
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i118140-liderët_e_kosovës_urojnë_festën_e_ditës_së_flamurit
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani sot me rastin e festës së 28 nëntorit ka bërë vizitë në Kompleksin Memorial në Prekaz.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Nëntor 28, 2021 10:40 Europe/Tirane
  • Liderët e Kosovës urojnë festën e Ditës së Flamurit

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani sot me rastin e festës së 28 nëntorit ka bërë vizitë në Kompleksin Memorial në Prekaz.

Ajo tha se e filloi ditën nga aty për të nderuar sakrifikën e familjes Jashari.

“Sot e filluam ditën tek komandati legjendar Adem Jashari dhe familja e tij për të nderuar sakrifikën. 28 nëntorit përpos simbolikës së pavarësisë është edhe datë kur ka lindur komandanti legjendar, kur ka dal UÇK-ja për herë të parë në skenë”, tha Osmani.

Tutje, ajo uroi këtë festë duke shpresuar në një të ardhme të ndritur për Kosovën dhe Shqipërinë.

“Dua që sot t’i uroj të gjithë shqiptarët për këtë ditë, duke shpresuar që një e ardhme e ndritur e pret edhe Republikën e Shqipërisë edhe Republikën e Kosovës”, u shpreh Osmani.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti me rastin e 28 nëntorit ka bërë vizitë në kompleksin Memorial në Prekaz.

Kurti tha se kjo është një datë e rëndësishme që lidhet me ngjarjet më të rëndësishme të historisë shqiptare.

“Është një datë themelore e identitetit kombëtar shqiptar, që lidhet me ngjarjet më të rëndësishme historike tonë, prej Skenderbeut në Krujë, te Ismail Qemali në Vlorë, te Adem Jashari në Prekaz, padyshim që është një ditë që na mbush më gëzim dhe krenari por edhe me përgjegjësi, detyrat para nesh për të ngritur mirëqenien e shqiptarëve dhe qytetarëve tanë, për të zhvilluar vendin tonë”.

“Për të shtuar demokracinë në republikën tonë, janë më të rëndësishme se kurr më parë, ne do të bëjmë gjithçka që mundemi të jemi në nivel të kësaj detyre, e vazhdon në paqe punën dhe luftën e madhe të atyre që e bënë në kohëra shumë të vështira se kjo e jona, përkulemi dhe nderojmë ata që sakrifikojmë dhe u flijuan për liri, pavarësi dhe për bashkim”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka zgjedhur Lidhjen Shqiptare të Prizrenit për të vizituar në ditën e flamurit kombëtar nga ku ka uruar të gjithë shqiptarët për ditën e pavarësisë.

Deklarata e plotë e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi: 

Memli Krasniqi nga Lidhja e Prizrenit: 28 Nëntori është festë shumëdimensionale për shqiptarët 

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi nga kompleksi i Lidhjes së Prizrenit ka uruar festën e 28 nëntorit, duke kujtuar personalitetet e mëdha historike që kontribuan ndër vite për atdheut. 

Postimi i plotë i Memli Krasniqit: 

Rilindasit ishin vizionarë që punuan parreshtur për të ringjallur vetëdijen çlirimtare të trashëgimisë së Skënderbeut, vetëdije politike e kombëtare që u materializua pikërisht këtu në Lidhjen e Prizrenit, me bashkimin më të madh të popullit shqiptar. Nga ky vend do të niste rrugëtimi për mëkëmbjen e kombit tonë, në një valë përpjekjesh të mëdha e të mundimshme, përballë apetiteve territoriale e pushtuese të kohës.

Abdyl Frashëri me intelekt e diplomaci, Ymer Prizreni me organizim e punë dhe Sulejman Vokshi me bashkëkohanikë të shumtë me pushkë, do t’i jepnin jehonë kauzës së shenjtë për liri, trajektorja e të cilës do shkëlqente më pas në Vlorë me 28 nëntor të vitit 1912, atë ditë kur Ismail Qemaili, i mbështetur nga intelektualë e patriotë nga të gjitha trevat shqiptare, do të shpallte pavarësinë e Shqipërisë. 

Ajo çfarë ishte e drejtë e jona historike, u cënua nga padrejtësia politike, të cilën populli i Kosovës e ka pasur barrë për afër një shekull. Por, 28 nëntorët tanë nuk u ndalën. Kjo datë u bë aksiomë e qëndresës dhe mosnënshtrimit, të cilën e kemi parë në vepër me 28 nëntor të vitit 1997, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli hapur për të shtruar rrugën e çlirimit të Kosovës. 

Adem, Hamëz e Shaban Jashari do ta shndërronin Prekazin në një referencë të pashterrshme për sakrificën dhe lavdinë e luftës së drejtë të UÇK-së, duke mbajtur gjallë vijimësinë e idealeve të Lidhjes së Prizrenit, projekt që u përmbyll më shpalljen e pavarësisë së Kosovës në 2008-tën. 

Sot nderojmë rilindasit, intelektualët, patriotët, çlirimtarët dhe të gjithë ata që kanë rënë në rrugën e lirisë. Sot festojmë, sepse 28 nëntori është festë e madhe e shumë dimensionale për ne. 

Festojmë por nuk harrojmë sakrificën e heronjve tanë të gjallë, Hashim Thaçit e Kadri Veselit me shokë, që padrejtësisht nuk janë në mesin tonë, të cilët sot po mbrojnë të vërtetën dhe dinjitetin e këtij rrugëtimi historik të popullit tonë për liri e pavarësi. 

Nga vendi ku nisi ky rrugëtim, nga Prizreni i Lidhjes Shqiptare, ju uroj të gjithëve 28 Nëntorin!