Milanoviç: Nisma Ballkani i Hapur pa Kosovën është e kotë
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, tha të enjten se nisma Ballkani i Hapur, është e kotë, nëse Kosova nuk përfshihet si palë e barabartë në të.
Ai i bëri këto komente në Prishtinë, ku po qëndron në një vizitë zyrtare gjatë së cilës zhvilloi takime me udhëheqës të institucioneve të Kosovës. “Nëse nisma është me qëllim të mirë, atëherë në të duhet të përfshihen të gjitha shtetet e këtij rajoni, Kosova është shtet dhe është njohur nga shumica e vendeve të Bashkimit Evropian. Në anën tjetër, nëse është e kundërta atëherë çështja është se cilat janë motivet prapa kësaj”, tha ai duke nënvizuar se nëse lihet anash Kosova atëherë dihet qartë se cilat janë motivet prapa kësaj nisme. Presidenti kroat tha se qeveria serbe është më shumë e interesuar të qëndrojë në pushtet dhe nuk e ka përparësi integrimin në Bashkimin Evropian. “Serbia duhet të vendosë vetë se çfarë dëshiron. Ndërsa këto lëvizje me nismën Ballkani i Hapur, epo nuk është më viti 1914. Në rregull le të lëvizin njerëzit lirshëm, por pa Kosovën qëllimet janë të qarta pra nuk janë edhe aq të njerëzishme”, tha ai.