Opozita e Kosovës nuk i voton marrëveshjet ndërkombëtare
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i119678-opozita_e_kosovës_nuk_i_voton_marrëveshjet_ndërkombëtare
Partitë opozitare të Kosovës nuk kanë votuar marrëveshjet ndërkombëtare që u hodhën për votim në seancën e sotme të Kuvendit.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Dhjetor 26, 2021 03:53 Europe/Tirane
  • Opozita e Kosovës nuk i voton marrëveshjet ndërkombëtare

Partitë opozitare të Kosovës nuk kanë votuar marrëveshjet ndërkombëtare që u hodhën për votim në seancën e sotme të Kuvendit.

 

Ndonëse, u shprehën se nuk janë kundër këtyre marrëveshjeve, përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, u shprehën se votimi kundër vjen si pasojë e qasjes së pozitës ndaj kërkesave të tyre.

 

“Ne si Grup Parlamentar kemi qenë në favor të votimit të këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare, por meqenëse kemi një sjelle të tillë të mazhorancës me opozitën duke mos i marrë parasysh për asnjë moment kërkesat tona si parti opozitare atëherë që edhe neve nuk na mbetet asgjë tjetër veçse ta themi bashkë me partnerët tuaj qeveritar me komunitetet jo shumicë ashtu siç i bëtë 2/3 për t’i futur në rend dite disa pika tjera besoj që kjo qasje është qasje e cila nuk i kontribuon mbarëvajtjes së këtij Kuvendi, punës së këtij Kuvendi”, tha Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar i PDK-së . Në të njëjtën linjë ishte edhe shefi i grupit parlamentar të Lidhjes demokratike të Kosovës Arben Gashi.

 

“Në princip nuk jemi kundër këtyre marrëveshjeve por meqenëse shumica qeverisëse nuk tregon vullnet bashkëpunimi dhe mirëkuptimi me opozitën mënyra se si u sollët sot dhe imponuat agjendën e Kuvendit jashtë asaj që jemi marr vesh në Kryesi, ne si Grup Parlamentar deklarojmë se për asnjërën nga marrëveshjet ndërkombëtare nuk do të votojmë”, theksoi Gashi.

 

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ngriti kartonin e kuq ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare, në shenjë proteste për sjelljen e qeverisë.

 

“Në shenjë proteste dhe mospajtimi me këtë qasje u dakorduam mos t’i votojmë sot këto marrëveshje”, tha Besnik Tahiri nga AAK.

 

Kritikave të opozitës iu përgjigj shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila u shpreh se janë të gatshëm t’i qëndrojnë të gjithë kërkesave racionale.

 

“Si Grup Parlamentar i pozitës jemi të gatshëm t’i qëndrojmë gjitha kërkesave racionale të cilat kanë të bëjnë në përmirësimin e demokracisë dhe punës së Kuvendit. Ne jemi pozitë dhe opozitë, por në fund të fundit sovrani na ka dhënë votën ta përfaqësojmë… Jo, është prezantim i një qëndrimi të partisë në pushtet”, tha ajo

 

Rendi i ditës parashikonte kalimin e 4 marrëveshjeve me Shtetet e Bashkuara, me Maqedoninë e Veriut dhe Bashkimin Evropian, të cilat kërkojnë 2/3 e votave.