Kreu i Kuvendin të RMV, Xhaferi: Shmangëm një krizë të re politike
(last modified Sun, 26 Dec 2021 06:23:20 GMT )
Dhjetor 26, 2021 07:23 Europe/Tirane
  • Kreu i Kuvendin të RMV, Xhaferi: Shmangëm një krizë të re politike

Në Maqedoninë e Veriut ka filluar numërimi i afateve kushtetuese për formimin e qeverisë së re, pas konfirmimit të dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi thotë se me formimin e qeverisë së re, që pritet të ndodh në janar, po shmanget një krizë politike, e cila sipas tij, do të dëmtonte shtetin dhe interesat e qytetarëve.

 

Në një intervistë për “KosovaPress”, Xhaferi thotë se nuk ka pengesa që qeveria e re të votohet në mesin e janarit të vitit 2022 meqë shumica është siguruar. Ai shton se tentativa e partive opozitare për rrëzimin e qeverisë duke ngritur mocion mosbesimi, ishte sfidë për vendin. Dorëheqja e kryeministrit Zaev nënkupton edhe dorëheqjen e gjithë kabintetit qeveritar të Maqedonisë së Veriut çka edhe u konstatua nga Kuvendi në një seancë të mbajtur disa ditë më parë. Mirëpo, kabineti i ri qeveritar pritet të votohet menjëherë muajin e ardhshëm, duke respektuar afatet kohore dhe data 18 janar shihet si mundësi kur vendi fqinj do të ketë ekzekutivin e ri. “Pritshmëria është që të jetë 28, 29 dhjetor dhënia e mandatit mandatarit të ri, dhe nga ai moment që mandatari i ri merr mandatin sipas rregullave tona në afat prej 20 ditëve mandatari i ri duhet të dalë me propozim përbërje personale të stafit, kabinetit qeveritar, dhe programin qeveritar me të cilin do të punojë qeveria e re dhe pritshmërinë janë që ato afate të jenë të përshpejtuara dhe Republika e Maqedonisë së Veriut më së voni deri më 17, 18 janar të ketë qeverinë e re”, thotë Xhaferi. Duke përmendur mbajtjen e zgjedhjeve të shpeshta në Maqedoninë e Veriut, Xhaferi thekson nevojën që vendi t’i përmbahet rregullit që zgjedhjet të mbahen çdo katër vjet, përjashtuar rastet kur deputetët vendosin për shpërndarjen e parlamentit. Sipas tij zgjedhjet e shpeshta të parakohshme dëmtojnë vendin dhe interesat e qytetarëve. “Është shmangur një krizë e re politike për faktin që Republika e Maqedonisë së Veriut nga 2008 e këndej pesë cikle zgjedhore parlamentare janë të parakohshme dhe me përcaktim kushtetues zgjedhjet e parakohshme janë përjashtim si rregull, për fat të keq, përjashtimi është vërë rregull tanimë dhe në këtë kontekst mendoj që ne duhet t’i kthehemi rregullit katërvjeçar të zgjedhjeve parlamentare”, tha Xhaferi. Më 23 dhjetor kryeministri Zoran Zaev dorëzoi dorëheqjen e tij në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Ky veprim erdhi si pasojë e rezultatit të dobët në zgjedhjet lokale të tetorit. Para zyrtarizimit të dorëheqjes së tij nga ekzekutivi, Zaev krijoi shumicën për qeverinë e re duke siguruar 4 deputetë nga marrëveshja me partinë Alternativa. Qeveria kishte mbetur me vetëm 60 deputetë meqë Lëvizja Besa ishte larguar nga koalicioni.

Tags