Kriza energjitike, Kosova ndalon prodhimin e kriptovalutave
Kriza energjitike ka detyruar qeverinë Kurti të vendosë bllokimin e kriptovalutave. Ministrja e Ekonomisë urdhëroi forcat e rendit të ndërhyrje menjëhere në rast të identifikimit të këtij aktiviteti.
Kriza e energjisë elektrike në Kosovë ka bërë që qeveria të vendosë ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë territorin e vendit pasi shpenzojnë shumë energji.Ky vendim ka ardhur pas rekomandimeve të Komitetit Teknik për Masat e Emergjencës në Furnizimin e Energjisë, i cili u formua së fundmi nga vetë Ministria e Ekonomisë.Ministrja, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se ka njoftuar të gjitha institucionet e rendit të bllokojne menjëherë aktivitetin në fjalë."Javën e kaluar kam marrë vendimin për Masa të Emergjencës përmes të cilit ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.Institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e aktivitetit në fjalë me mbështetje të të gjitha institucioneve relevante të cilat do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave". Kosova ndërkohë ende nuk ka një ligj, i cili përcakton rregullat e përdorimit të parave digjitale.Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri dhe Tregti, Ferat Shala, ka deklaruar se qeveria po harton një draft për rregullat e përdorimit të kriptovalutave.Ky ligj sipas tij, synon të krijojë edhe një evidencë të saktë të personave që operojnë me kriptovaluta në Kosovë.Një javë më parë Kosova ka shpallur gjendjen emergjente sa i përket situatës së krijuar me energjinë elektrike.Sipas dokumentit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, masat emergjente përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete financiare për të mbështetur Korporatën Energjetike për të importuar energji elektrike, ndërsa ka arsyetuar ndërprerjen e energjisë me kushtin që të mos rritet çmimi i energjisë elektrike për qytetarët.