Vuçiç sfidon SHBA-në: Nuk i zbatojmë sanksionet ndaj Dodik
(last modified Thu, 06 Jan 2022 18:26:01 GMT )
Janar 06, 2022 19:26 Europe/Tirane
  • Vuçiç sfidon SHBA-në: Nuk i zbatojmë sanksionet ndaj Dodik

Beogradi zyrtar sfidoi hapur vendimin e autoriteteve amerikane për vendosjen e sanksioneve ndaj anëtarit serb të presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës (BiH), Millorad Dodik.

Presidenti Aleksandar Vuçiç deklaroi se Serbia, nuk do t`i zbatojë masat ndëshkuese të SHBA-së. Departamenti amerikan i Thesarit publikoi një listë të zgjeruar sanksionesh për akte korrupsioni, e cila përfshinte Dodikun, i cili është kreu i partisë kryesore të Republikës Sërpska, Partisë së Social-Demokratëve të Pavarur (SNSD). Me të njëjtin vendim u vendosën sanksione ndaj Televizionit Alternativ nga Banjalluka për shkak të lidhjeve me familjen e Dodikut. Vuçiç u shpreh se lëvizje të tilla janë të ndërlikuara e reagimi ndaj tyre nuk mund të jetë i nxituar. “Serbia nuk mendon se zgjidhja qëndron tek sanksionet dhe nuk ka dyshim se Republika e Serbisë nuk do të pajtohet për asnjë pikë të vetme, dhe nuk do t’i zbatojë masat kundër anëtarëve të popullit të saj dhe përfaqësuesve të popullit të saj në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Republika Srpska”, tha ai. Presidenti serb shtoi se vendimi i Washingtonit bart sfida të shumta, jo vetëm për Republikën Srpska, por edhe për Serbinë, ndërsa e konsideroi të “tmerrshëm” edhe penalizimin e Televizionit Alternativ.

 

Tags