Legjitimiteti i qeverisë së re, VMRO dhe LSDM përplasen në Kuvend
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i120872-legjitimiteti_i_qeverisë_së_re_vmro_dhe_lsdm_përplasen_në_kuvend
Mazhoranca dhe opozita maqedonase vijuan edhe këtë të dielën debatin në Kuvend lidhur me legjitimitetin e krijimit të qeverisë së re.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Janar 17, 2022 08:12 Europe/Tirane
  • Legjitimiteti i qeverisë së re, VMRO dhe LSDM përplasen në Kuvend

Mazhoranca dhe opozita maqedonase vijuan edhe këtë të dielën debatin në Kuvend lidhur me legjitimitetin e krijimit të qeverisë së re.

Për opozitën, Kovaçevski nuk ka marrë pjesë në zgjedhje, nuk ka kërkuar besimin e qytetarëve dhe nuk ka marrë asnjë votë prej tyre, dhe si i tillë, nuk ka legjitimitet për të drejtuar qeverinë. Por këto pretendime janë hedhur poshtë nga mazhoranca në Kuvend.

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka vijuar edhe këtë të diel debati për zgjedhjen e qeverisë së re, që do të drejtohet nga Dimitar Kovaçevski, kryetar i Lidhjes Sociale Demokrate. Debati pritet do të zgjasë deri në mesnatën e së dielës kur edhe do të votohet për përbërjen e re të qeverisë.

Qeveria e re do të ketë 21 anëtarë; 17 ministra dhe 4 zëvendëskryeministra. Lidhja Social Demokrate do të ketë 12 anëtarë të Qeverisë, gjashtë Bashkimi Demokratik për Integrim dhe tre partia Alternativa. Debati nisi me fjalimet e deputetëve të VMRO DPMNE-së, të cilët thanë se qeveria që do të drejtohet nga Dmitar Kovaçevski nuk ka legjitimitet, pasi sipas deputetes së VMRO DPMNE-së, Bllagica Lasovska, Kovaçevski nuk ka marrë pjesë në zgjedhje, nuk ka kërkuar besimin e qytetarëve dhe nuk ka marrë asnjë votë prej tyre.

Ajo tha se “shumica e ministrave janë vazhdimësi e regjimit hibrid” që u mund në zgjedhjet lokale disa muaj më parë”.

Ndërkaq, Marija Georgievska, deputete e LSDM-së, hodhi poshtë pretendimet e opozitës se qeveria nuk ka legjitimitet.

Ajo tha se partitë që do të jenë pjesë e qeverisë së re kanë legjitimitet të plotë ta udhëheqin vendin, sepse në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë marrë mbështetjen e qytetarëve.