Më 19 shkurt nis fushata për zgjedhjet e pjesshme vendore
Fushata për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit do të fillojë më 19 shkurt.
Sot, Komisioni Rregullator i KQZ-së hodhi poshtë propozimin e Partisë Demokratike, që fushata e zgjedhjeve lokale të pjesshme për 6 bashki të nisë në datën 7 shkurt. Kandidatët që do të garojnë për 6 bashkitë e vendit do të kenë 2 javë kohë për të zhvilluar fushatat. Partitë politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje do të duhet të regjistrohen deri në datën 31 janar. I njëjti afat u është lënë komisioneve që do të ngrihen nga zgjedhësit për të propozuar kandidatët të pavarur. Kandidatët për kryetarë të bashkive do të kenë afat deri në datën 9 shkurt për t’u regjistruar në zgjedhje. Partitë do të duhet të dorëzojnë anëtarët e tyre në KZAZ deri të martën, 25 janar. Më 6 mars qytetarët e Shkodrës, Vorës, Dibrës, Durrësit, Lushnjës dhe Rrogozhinës do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e bashkisë së tyre.