Raporti për përkeqësimin e korrupsionit, reagojnë Meta dhe Basha
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i121382-raporti_për_përkeqësimin_e_korrupsionit_reagojnë_meta_dhe_basha
Presidenti Ilir Meta ka kërkuar reflektim të menjëhershëm lidhur me raportin e Transparency International që tregon një përkeqësim të indeksit të korrupsionit në Shqipëri.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Janar 26, 2022 04:31 Europe/Tirane
  • Raporti për përkeqësimin e korrupsionit, reagojnë Meta dhe Basha

Presidenti Ilir Meta ka kërkuar reflektim të menjëhershëm lidhur me raportin e Transparency International që tregon një përkeqësim të indeksit të korrupsionit në Shqipëri.

Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook Meta thotë se të dhënat e raportit përputhen me perceptimin qytetar dhe paralajmërimet e bëra prej tij lidhur me nivelin e ulët të demokracisë në vend. “Këto të dhëna, për fat të keq, përputhen plotësisht me bindjen dhe perceptimin e përgjithshëm të qytetarëve, por edhe me paralajmërimet që kam bërë prej kohësh sa i përket nivelit të ulët të demokracisë në vend, mungesës së respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, shfrytëzimit të pandemisë për të forcuar autoritarizmin, mungesën e llogaridhënies në të gjitha nivelet, abuzimet me fondet publike nëpërmjet koncesioneve, PPP-ve dhe inceneratorëve, situatë e rëndë që vijon të vrasë shpresën dhe të detyrojë gjithmonë e më shumë shqiptarë të largohen nga vendi, për ta ndërtuar jashtë Shqipërisë të ardhmen e tyre”, thotë Meta. Edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për raportin e indeksit të korrupsionit duke theksuar se përhapja e tij në çdo nivel qeverisës nuk po lejon zhvillimin e vendit. “Lufta kundër korrupsionit është sot interesi ynë kombëtar, për të çliruar vendin dhe institucionet e tij nga të korruptuarit. Ndonëse një grusht i vogël njerëzish po mundohen ta mbajnë peng të ardhmen, ajo tashmë ju përket shqiptarëve”, shprehet Basha. Raporti i Transparency Internation tregoi se niveli i korrupsionit në Shqipëri është përkeqësuar me një pikë krahasuar me vitin 2020. Nga 180 vende të studiuara, Shqipëria renditet e 110-ta.