Meta thotë se do garojë në zgjedhjet lokale
Presidenti Ilir Meta la të kuptohej se do të jetë pjesë e jetës aktive politike sapo të mbarojë mandati i tij si president i vendit, që është 24 korriku i këtij viti, nëse Kushtetuesja nuk e shkarkon nga detyra.
I pyetur nga mediat nëse është i përfshirë në zgjedhjet të pjesshme lokale që do të mbahen në 6 mars, kreu i shtetit e përjashtoi këtë mundësi, por shtoi se do të jetë pjesë e garës më të afërt zgjedhore, që është ajo e zgjedhjeve lokale të 2023. “Shoh një dëshirë të madhe për të më përfshirë në një garë apo për të më paraqitur në gara të mëparshme. Siç do të marrë fund koha e gallatës me financat dhe borxhet që merret në kurriz të Shqipërisë. Kështu do të përfundojë edhe koha e ndeshjeve të shitura pa filluar. Unë do të marrë pjesë në gara në emër të popullit të dy marsit dhe i bëj thirrje të bëhen gati se pas ballafaqimit të parë, i cili më e largëta do të jetë në një vit. Koalicionit bravo-brava, që ka 8 vite që qeveris Shqipërinë, natyrisht do t’i recitoj një poezi që e ka bërë shefi i këtij koalicioni”, tha Meta.