Serbia nuk njeh Kosovën, Daçiç: S’ka njohje direkte as indirekte nga ne
Kryetari i Kuvendit serb, Ivica Daçiç ka deklaruar pas takimit me dy diplomatët Escobar dhe Lajçak se njohja e Kosovës nga Serbia është e panegociueshme.
"Kosova nuk ishte temë e bisedës sonë, por ata e kuptuan që qëndrimet tona nuk ndryshojnë. Ne nuk do ta njohim as direkt e as indirekt Kosovën, pjesa tjetër mund të diskutohet." Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi të mërkurën se marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë duhet të përfundonte me njohje reciproke. Qëllimi i ardhjes së Escobar e Lajçak në Prishtinë dhe Beograd është ndërmjetësimi për përmirësimin e dialogut mes dy vendeve. Të dyja palët duket se nuk po lëshojnë pe në dialog, nga njëra anë Kosova është shprehur kundër themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tani Serbia, përmes kreut të Kuvendit ka deklaruar se nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Çështja pritet të përshkallëzohet më tej për zgjedhjet presidenciale të 3 prillit që do të mbahen në Serbi. Presidenti serb Vuçiç ka paralajmëruar pasoja të rënda për Kurtin nëse procesi zgjedhor për serbët e veriut të Kosovës nuk mbahen në vend.