Opozita kritikon performancën e Qeverisë Kurti 2
1 vit nga fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit 2021, pozita dhe opozita janë përplasur për performancën e Qeverisë Kurti 2.
Deputeti i LVV-së, Armend Muja u shpreh se Qeveria Kurti ka përmbushur katër shtyllat kryesore programore. “Qeveria ka ardhur me katër shtylla programore kryesore. E para ka qenë vaksinimi, e dyta rikthimi i vendeve të punës në kontekst të krizës ekonomike, e treta rikthimi i rendit dhe ligjit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe e katërta ka qenë dinjiteti i Kosovës në raport të politikës së jashtme”, tha Muja. Për Abelard Tahirin, kryetari e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Qeveria Kurti 2, ka qenë më e dobëta që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. “Kemi pa ngathtësi jashtëzakonisht të mëdha, kemi pa një qeverisje prej më të dobëtave që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Në anën tjetër puna e institucioneve të pavarura dhe agjencive të shtetit që kanë punuar jashtëzakonisht mirë siç janë doganat, ATK dhe institucionet tjera nuk duhet të lidhen me qeverisjen. Pasi ajo duhet të sjell projekte të reja, investime të reja dhe strategji që zhvillohet vendi”, tha ai. “Një gjë të tillë nuk e kemi pa. Ndërsa mosangazhimi i Qeverisë së Kosovës në kohën e duhur, ju e keni pa që është vështirësuar jeta e vendit tonë, kemi rritje të çmimeve të secilit produkt përfshirë derivatet, pastaj produktet esenciale ushqimore. Kemi shtrenjtim të jetës në vend dhe shtrenjtim të energjisë elektrike”, tha Abelard Tahiri. Qëndrim të njëjtë kishte edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri. “Fatkeqësisht kemi të bëjmë me një Qeveri, e cila është shumë e dobët. Me një qeveri e cila përveç shtrenjtimit të çmimeve, të rrymës dhe mungesës së vizionit në politikë të jashtme dhe dialog nuk ka prodhuar asgjë. Kisha me thënë shkurt se kjo qeveri për këtë vit do të njihet si qeveria më dobët në historinë e Kosovës së pasluftës”, u shpreh ai. Këto pretendime të opozitarëve i konsideroi si të pasakta, deputeti Muja. Këto komente deputetët i bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u caktua që të enjten të mbahet një seancë solemne për nder të 14-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.