Tregu i Serbisë në Kosovë zvogëlohet për rreth 37%
Sasia e prodhimeve të Serbisë në tregun e Kosovës ka rënë për gati 37 për qind vitin e kaluar, në krahasim me vitin 2017, tregojnë të dhënat e Doganave të Kosovës.
Sipas llogaritjeve të tyre, vlera e importit të mallrave serbe në Kosovë ka qenë 450 milionë euro në vitin 2017, apo 36.8 për qind më shumë se në vitin 2021, kur ky import ka arritur në 305 milionë euro. Për gati dy dekada deri në vitin 2018, Serbia ka qenë shteti me sasinë më të madhe të mallrave në tregun e Kosovës. Gjatë një dite, ky shtet ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion eurosh. Shumica e eksporteve kanë qenë nga industria ushqimore dhe ndërtimore. Në nëntor të vitit 2018, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr në atë kohë nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka vendosur taksë doganore 100% ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina - të dyja vende që s’e njohin Kosovën - me qëllim të, siç ka thënë, forcimit të prodhimit vendor, të ekonomisë dhe të shtetësisë së Kosovës. Pas më shumë se një viti, taksa është zëvendësuar me reciprocitet nga Qeveria e Kosovës, e cila edhe atë kohë është udhëhequr nga kryeministri aktual, Albin Kurti. Mbi një vit e gjysmë taksa dhe reciprocitet kanë bërë që prania e prodhimeve serbe në tregun e Kosovës të zvogëlohet gradualisht, ashtu si edhe kërkesa për to.