Beogradi: Pasoja të paparashikueshme nëse s’lejoni zgjedhjet serbe
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i122640-beogradi_pasoja_të_paparashikueshme_nëse_s’lejoni_zgjedhjet_serbe
Sot në 14-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Serbia ka lëshuar një kërcënim të fortë ndaj Qeverisë Kurti, nëse kjo e fundit nuk lejon zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale të 3 prillit për serbët e Kosovës.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Shkurt 17, 2022 19:52 Europe/Tirane
  • Beogradi: Pasoja të paparashikueshme nëse s’lejoni zgjedhjet serbe

Sot në 14-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Serbia ka lëshuar një kërcënim të fortë ndaj Qeverisë Kurti, nëse kjo e fundit nuk lejon zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale të 3 prillit për serbët e Kosovës.

Ndërsa ende nuk ka ardhur asnjë koment negativ lidhur me 14-vjetorin e shpalljes së Kosovës shtet, Serbia është përqendruar në zgjedhjet presidenciale serbe në territorin kosovar. Kreu i zyrës së rremë, zyra serbe për Kosovën, Petar Petkoviç ka thënë se mosmbajtja e tyre përmes qendrave të votimit do të ketë pasoja të paparashikueshme për Albin Kurtin. “Mbajtja e zgjedhjeve të 3 prillit në Kosovë është me rëndësi vendimtare për Serbinë. Mohimi i së drejtës së votës për serbët e Kosovës në zgjedhje mund të ketë pasoja të paparashikueshme. Vota është një e drejtë themelore e njeriut, të cilën Albin Kurti po përpiqet t’ia mohojë popullit serb në Mitrovicë. E kemi paralajmëruar vazhdimisht komunitetin ndërkombëtar i cili është përgjegjës për presionin ndaj Albin Kurtit dhe Prishtinës për mbajtjen e zgjedhjeve të 3 prillit.” Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla deklaroi të martën në një studio televizive se zgjedhjet presidenciale të Serbisë në 3 prill nuk do të mbahen përmes qendrave të votimit në veri të vendit. Edhe në 16 janar, autoritetet kosovare ndaluan mbajtjen e referendumit serb për ndryshime kushtetuese, përmes qendrave të votimit. Ato u lanë mundësinë serbëve të Kosovës që të votonin përmes postës, ose përmes zyrës ndërlidhëse të Prishtinës me Beogradin.