Prishtina hedh poshtë pretendimet ruse për “mercenarët nga Kosova”
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe raportimeve nga agjencia ruse e lajmeve, TASS se “mercenarë nga Kosova” po dërgohen në rajonin Donbas të Ukrainës, ku forcat qeveritare ukrainase luftojnë me separatistët e mbështetur nga Moska.
MPJD përmes një njoftimi i cilësoi si të “pavërteta dhe tendencioze çdo pretendim të agjencisë të lajmeve ruse TASS dhe të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se kinse ‘Kosova dhe disa pjesë tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen terren për krimin....’”. Agjencia e lajmeve ruse TASS ka raportuar më 18 shkurt se ministri Lavrov kishte deklaruar se Rusia po verifikonte raportimet se “mercenarët nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina po dërgohen në Donbas”. Në reagimin e MPJD-së thuhet se me ligjet në fuqi, qytetarëve të Kosovës u ndalohet që të marrin pjesë në luftëra jashtë vendit. “MPJD vlerëson se deklaratat e agjencisë së lajmeve TASS dhe ministrit Lavrov janë pjesë e një fushate të egër të propagandës ruse që kanë për qëllim tërheqjen e vëmendjes së gjithë botës demokratike nga ankthi që po krijon politika hegjemoniste dhe e diktatit rus mbi të drejtat e popujve për jetë të lirë e sovrane”, thuhet në reagim.