Protestuesit bllokojnë rrugët, konfrontohen me policinë
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i123786-protestuesit_bllokojnë_rrugët_konfrontohen_me_policinë
Pas protestës para kryeministrisë, qytetarët bllokuan për disa orë qarkullimin e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” si dhe në disa kryqëzime të tjera.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Mars 12, 2022 07:19 Europe/Tirane
  • Protestuesit bllokojnë rrugët, konfrontohen me policinë

Pas protestës para kryeministrisë, qytetarët bllokuan për disa orë qarkullimin e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” si dhe në disa kryqëzime të tjera.

Bllokimi i bulevardit është bërë në mënyrë spontane dhe qytetarët kërkojnë që qeveria të ndërhyrjë për të ulur çmimin e naftës që tashmë ka arritur në 260 lekë për litër.

“Pasaporta ime lexon Republika e Shqipërisë, nuk lexon Partia Socialiste apo Partia Demokratike. Po na rrjepin, si mund të jetojmë me këto rroga? Shtrëngoni dhëmbët, ecni në këmbë thonë”, u shpreh një protestues. Minimalisht sipas tyre duhet të ulen taksat për karburantin pasi rritja e çmimit të naftës me gati 50% në një javë, u ka vështirësuar jetën e përditshme. “Do të qëndrojmë deri sa Rama të vijë këtu dhe të mos gënjejë. Kërkojmë që të ulen taksat dhe të ulen çmimet”, shprehet një qytetar. Sipas qytetarëve, Shqipëria është vendi më i varfër në Evropë dhe me çmimin më të lartë të naftës. “E vetmja mënyrë është që të bllokojmë të gjitha rrugët, pasi me protestën para Kryeministrit nuk arrijmë dot gjë”, tha një tjetër protestues. Nga ana tjetër, shumë drejtues të automjeteve i janë bashkuar protestës duke fikur makinat. Në kryqëzimin pranë ish-hotel Dajtin policia ka ndërhyrë për të zhbllokuar rrugën duke e konfrontuar me protestuesit. Nuk kanë munguar as incidentet ku një protestues është shoqëruar pasi ka goditur një automjet që ka tentuar të kalojë kryqëzimin. Rreth orës 20:30 protestuesit u mblodhën në rrugën para Ministrisë së Brendshme duke bllokuar qarkullimin. Një grup qytetarësh kanë dalë të protestojnë para Kryeministrisë për rritjen e çmimit të naftës. Ata bëjnë thirrje për uljen e disa taksave që përfshihen në çmimin e karburantit në mënyrë që t’u lehtësohet kostoja e jetesës. Aktori Florian Binaj ishte një prej pjesëmarrësve, i cili u bëri thirrje atyre që nuk marrin guximin të dalin në protestë. “Shqiptarët rrëzuan diktaturën kur u bënë të gjithë bashkë. Po të çohemi të gjithë, mund të ulim jo vetëm taksa, por mund të marrim atë që na takon si qytetarë”, tha ai. Aktori Binaj tha se ndërsa qytetarët protestojnë “lideri i ballkazanit është në Dubai”, ndërkohë që në Ukrainë ka luftë dhe presidenti atje u jep shpresë, ky i joni (Kryeministri) thotë shtrëngoni dhëmbët”.