Karburantet refuzojnë vendimin e qeverisë për çmimin e naftës
Të paktën dy pika karburanti kanë refuzuar që të zbatojnë vendimin e Bordit të Transparencës për të shitur naftën me çmimin 203 lekë për litër.
Kryeministri, Edi Rama thotë se dy pika karburanti në Tiranë dhe Vlorë janë kapur duke shitur karburant mbi çmimet e caktuar nga qeveria. “Sot janë kapur dy pika karburanti në Tiranë dhe Vlorë me faturime mbi çmimin e caktuar për të gjithë. Subjektet janë gjobitur me maksimumin ligjor”, shprehet Rama. Pas konstatimit të mos zbatimit të këtij vendimi, qeveria ka ndëshkuar subjektet tregtare, ndërsa me ndryshimin e ligjit, masa do të shkojë deri në sekuestrim. “Duke nisur nga java tjetër do të hyjë në fuqi sekuestrimi në vend i çdo pike karburanti që ngre qoftë edhe një qindarkë çmimin e shpallur paraprakisht nga Bordi i Administrimit”, thotë Rama. Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburantit më 16 mars caktoi se çmimi i shitjes së naftës në vend do të jetë 203 lekë për litër deri më 21 mars. Ngritja e të naftës në vend shkaktoi një valë proteste që ka hyrë në ditën e tetë. Më 12 mars, çmimi për litër naftë arriti deri në nivelin 260-270 lekë për litër.