‘Mirëseerdhe zoti President’, Rama pret Bajram Begajn në Kryeministri
Kryeministri Edi Rama ka pritur në zyrën e tij Bajram Begajn, kandidatin për President të Republikës, propozuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste.
Rama ka shpërndarë takimin me Begajn në rrjetet sociale dhe i drejtohet atij duke i thënë “mirëseerdhe zoti President.”
Rama i tha Begajt se gjatë diskutimeve të sotme në mbledhjen e Kryesisë së PS-së, u ra dakord se kandidatura e tij ishte e duhura për postin e Presidentit të Republikës. “Ky sistem që kemi kështu është. Është e pamundur të ndërtohet një proces ku njerëzit të mund të njihen përpara me mundësinë për t’u zgjedhur. Sot kemi pasur një diskutim në tërësi për shumë kandidatura dhe në fund kemi rënë dakord që ju jeni kandidatura e duhur për ta normalizuar dhe për ta ricivilizuar zyrën e institucionit të Presidentit të Republikës. Ju falenderoj që nuk shfaqët refuzim për pranim. Do jetë nder për ne që t’ju japim votën edhe që ju të zgjidheni President i Republikës”, tha Rama.
Ndërsa, Begaj u shpreh falenderues dhe deklaroi se do të qëndrojë në lartësinë e duhur që kërkon ky post.
“Faleminderit kryeminstër. Është vlerësim shumë i madh të jesh President i një vendi. Do përpiqem të jem ai personi i duhur për atë që përfaqëson ky post. Do jem në lartësinë e detyrës, do të jem i përgjegjshëm për kryerjen e saj. Vij nga ushtria dhe mjekësia, janë dy profesione shumë të përkushtuara. Besoj se edhe detyrën, nëse nesër do të votohem në Parlament, do të jem i lumtur ta kryej”, tha ai. Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PS-së, Rama bëri me dije për mediat kandidaturën e Bajram Begajt për president. Kandidatura e Begaj pritet që të kalojë të shtunën për votim në Parlament, ku do të duhen të paktën 71 vota për t’u zgjedhur kreu i ri i shtetit. Aktualisht, Begaj shërben si Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura.