Gjermania mbështet anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian
(last modified Sun, 12 Jun 2022 06:48:56 GMT )
Qershor 12, 2022 08:48 Europe/Tirane
  • Gjermania mbështet anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe kancelari gjerman Olaf Scholz vlerësuan marrëdhëniet e mira midis dy vendeve dhe rritjen e shkëmbimit tregtar, raporton Anadolu Agency (AA).

Kancelari gjerman qëndron për vizitë zyrtare në Shkup, si pjesë e turnit të tij rajonal, pasi dje vizitoi Serbinë dhe Kosovën. Në konferencën e përbashkët për media të dy liderëve, u theksua gjithashtu mbështetja për procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve tjera të rajonit. Kryeministri Kovaçevski falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e fuqishme dhe tha se kjo është inkurajim për vendin. Ai gjithashtu përshëndeti marrëdhëniet e mira tregtare dhe u bëri thirrje kompanive gjermane që të vazhdojnë të investojnë në Maqedoninë e Veriut. "Këtë vit shënojmë 29 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona. Gjatë kësaj periudhe tridekadëshe, Gjermania u vendos dhe mbajti vendin e parë në shkëmbimin tregtar me vendin tonë, në vlerë prej 4,2 miliardë euro. Më shumë se 45 për qind e eksporteve të përgjithshme të Maqedonisë së Veriut përfundon në Gjermani. 200 kompani gjermane janë partnere të kompanive maqedonase dhe kanë hapur 20 mijë vende pune këtu", tha Kovaçevski. Kancelari Scholz tha se për Gjermaninë, Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike dhe se angazhohet për anëtarësimin e vendeve të rajonit në BE. Duke theksuar se perspektiva evropiane u është premtuar vendeve të rajonit para 20 vitesh, Scholz tha se tani është koha që të pasojnë veprat. "Gjermania është serioze për eurointegrimet e vendeve të rajonit dhe kjo posaçërisht vlen për Maqedoninë e Veriut. BE posaçërisht i ka premtuar Maqedonisë së Veriut, e cila i plotësoi të gjitha parakushtet për fillimin e bisedimeve për anëtarësim", tha Scholz. Ai përshëndeti marrëveshjen e arritur mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, me të cilën u zgjidh kontesti i emrit. Kancelari gjerman përshëndeti gjithashtu faktin që Maqedonia e Veriut mbështeti pozitën e BE-së ndaj Rusisë dhe vendosi sanksione shkaku i agresionit ushtarak rus në Ukrainë, duke shtuar se kjo është një dëshmi shtesë për orientimin evropian të vendit. Duke folur për marrëdhëniet dypalëshe, Scholz tha se ato janë të larmishme dhe të afërta. "Këtë e vërtetojnë edhe numrat nga marrëdhëniet tona ekonomike, që janë një storje suksesi. Nga viti 2014 deri në 2021, shkëmbimi i përbashkët tregtar ka tejkaluar dyfishin, nga 2,2 në 4,7 miliardë euro", tha Scholz. Ai inkurajoi bashkëpunimin rajonal ekonomik midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se dëshiron "rigjallërimin" e Procesit të Berlinit, i filluar në vitin 2014 dhe i cili parasheh krijimin e një tregu të përbashkët rajonal.

Tags