‘Po na rrezikohet gjuha dhe identiteti’, në shesh kundër planit francez
(last modified Fri, 15 Jul 2022 07:18:50 GMT )
Korrik 15, 2022 09:18 Europe/Tirane
  • ‘Po na rrezikohet gjuha dhe identiteti’, në shesh kundër planit francez

Protestuesit kundër propozimit francez në Maqedoninë e Veriut kërcënojnë se nuk do e kontrollojnë zemërimin. Ata kanë premtuar se nuk do të jenë aspak tolerant, nëse Parlamenti do të votojë pro propozimit francez. Për protestuesit, zgjidhja e propozuar rrezikon humbjen e gjuhës dhe identitetit maqedonas, prandaj ata kanë kërcënuar se nuk do të ndalen.

“Propozimi do të kalojë, por ata jo. Popullit i është ndezur koka më. Nuk duron. Fatmirësisht këta bullgarët na bashkuan sepse ishim të përçarë. Sido që të jetë këta do të ikin prej këtu,” – u shpreh një qytetar. “Të mos pranohet kjo marrëveshje e dëmshme për Maqedoninë. Ta kthejmë emrin tonë. Nuk do lejojmë ndryshimin e historisë sonë. Askush nuk mund ta dijë se si do veprojë populli që është këtu. Se a do mund ta kontrollojë nervozizmin,” – tha një qytetar tjetër. Më herët, gjatë paradites, para Parlamentit ishin vendosur pankarta dhe portretet e heronjve maqedonas të rënë gjatë pushtimit bullgar. “Është turp që në shekullin 21 të flasim për identitet dhe gjuhë. Populli do tregoje se si ndjehet,” – u shpreh një protestues. Prej 10 ditësh Protestuesit kanë pushtuar sheshet dhe rrugët e Shkupit, duke kërkuar dorëheqjen e Qeverisë dhe refuzim të propozimit francez. Gjatë ditëve të protestës, nuk munguan edhe përleshjet fizike me policinë, ku mbi 50 të lënduar u shënuan mes forcave të rendit dhe 12 protestues u arrestuan.

Tags