Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë reagon pas akuzave për inceneratorët
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka reaguar në lidhje me akuzat e bëra këtë të martë nga Partia e Lirisë për inceneratorët e Tiranës dhe Elbasanit, ku një punonjës u bë pronar duke përfituar miliona euro.
Sipas ministrisë, Autoriteti Kontraktor nuk mund të ketë dijeni për huadhëniet, huamarrjet apo transaksione të tjera të kësaj natyre. Në reagim thuhet se Autoriteti Kontraktor jep miratim për transferimin e aksioneve gjatë kohëzgjatjes së kontratave koncesionare në fuqi, veprim që nuk ka ndodhur në këtë rast. Ndër të tjera, bëhet e ditur se janë vendosur në sekuestro preventive shoqëritë koncesionare së bashku me pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, duke i kaluar në administrim të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara Partia e Lirisë zbuloi prova të reja në aferën e inceneratorëve dhe i bëri thirrje SPAK-ut të hetojë. Në një konferencë për shtyp të paralajmëruar një ditë më parë, koordinatorja e luftës kundër korrupsionit në Partinë e Lirisë, Briseida Shehaj tregoi disa dokumente ku një punonjës i thjeshtë i inceneratorit të Elbasanit e më tej atij të Tiranës, sipas saj është kthyer në pronar duke përfituar miliona euro. Punonjësi, identitetin e të cilit Shehaj nuk e zbuloi, duke e cilësuar vetë me inicialet E.B, sipas saj ka lidhur kontrata me biznesmenët e inceneratorëve, Zoto dhe Stela Gugallja.