Kosova vazhdon të mbetet një vatër e nxehtë
Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të shmangin veprimet e njëanshme dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog, duke thënë KFOR-i po e monitoron nga afër situatën dhe është i gatshëm të ndërhyjë nëse kërcënohet stabiliteti.
Në një intervistë për gazetën Vjesti nga Mali i Zi, sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veri-Atlantike ka thënë se së fundmi ka diskutuar me lidershipin politik në Prishtinë dhe Beograd për tensionet në veri të Kosovës. “Të gjitha palët duhet të qëndrojnë të qetë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog me ndërmjetësimin e BE-së. Në përputhje me mandatin e tij, misioni i KFOR-it po monitoron nga afër situatën dhe është i gatshëm të ndërhyjë nëse kërcënohet stabiliteti”, ka thënë ai. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti lidhur me mundësitë e një konflikti të ri mes dy vendeve thotë se, rreziku mbetet i lartë. Sipas tij, barrikadat që u vendosën në rrugët e veriut, në kundërshtim të zbatimit të vendimit për targat dhe dokumentet hyrëse për shtetasit serbë, ishin të pozicionuara në atë mënyrë që të qëllohej me armë mbi automjete dhe njerëz që kalojnë në atë zonë. Kurti ka thënë se nuk do të diskutojë lidhur me vendimet për targat dhe dokumentet hyrëse në takimin që do ta ketë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, më 18 gusht në Bruksel. Sipas tij, në mënyrë që më 1 shtator të shmangen tensionet e 31 korrikut, faktorët ndërkombëtarë “duhet ta zmbrapsin Beogradin në qasjen e tij destruktive ndaj Kosovës”. Kurti ka bërë të ditur se ka dyshime për infiltrime nga Rusia pasi, sipas tij, Kremlini po dëshiron ta përdorë Serbinë si platformë për ta destabilizuar Ballkanin dhe, në veçanti, për ta sulmuar Kosovën. Sa i përket marrëveshjes për Asociacionin për komunat me shumicë serbe, ai ka thënë se organizimet që bashkojnë komunat me veçanti gjeografike apo ekonomike janë të nevojshme, por jo ato në bazë të etnisë. Kurti deklaroi në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 10 gusht, se një fushatë dezinformimi për vendimet e ekzekutivit sa i përket targave dhe dokumenteve serbe, kishte për qëllim të nxiste frikë dhe të krijonte destabilitet. Ai u bëri thirrje serbëve që të mos bien pre e fushatave të tilla. Kurti tha se vendimi për riregjistrimin e veturave me targa të lëshuara nga Serbia, do të zbatohet më 1 Shtator dhe është një vendim që i shërben rendit dhe ligjit, sigurisë publike dhe lëvizjes së lirë. Por Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në reagimin e tij të 10 gushtit ka thanë se e vetmja gjë që di Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është “nxitja e luftës duke udhëhequr politikën e kërcënimeve dhe shantazheve”. Në ragimin e Petkoviqit, thuhet se këtë e dëshmojnë deklaratat e tij të fundit, me të cilat, siç tha ai, Kurti dëshiron konflikt dhe se çdo ditë i pëlqen të flasë për luftën. “Me vendimet e tij të njëanshme për targat dhe dokumentet serbe, Kurti ka shkelur të gjitha marrëveshjet, duke përgatitur dhunën në veri. Këtë e ka konfirmuar sot duke bërë të ditur se nga 1 shtatori Prishtina do të vazhdojë me të ashtuquajturin reciprocitet, i cili ka për qëllim shfuqizimin e targave dhe dokumenteve serbe”, ka thënë Petkoviq.