KFOR shton prezencën në vendkalimet Jarinje e Brnjak
10 ditë përpara zbatimit të reciprocitetit trupat e KFOR-it kanë shtuar prezencën fizike në dy doganat që mund të çojnë për në Serbi me frikën se tensionet do të përshkallëzohen nga serbët e veriut të Kosovës duke pasur parasysh ngjarjet e muajit të kaluar.
KFOR është i gatshëm të ndërhyjë nëse situata mes serbëve të Kosovës dhe Njësive Speciale të vendit përshkallëzohet në fund të këtij muaji. Të prononcuar për mediet serbe, krerët e misionit të NATO-s në Kosovë thonë se kanë shtuar prezencën ushtarake në dy pikat e kalimit kufitar që të çojnë për në Serbi, Jarinje dhe Brnjak. Lëvizjet e fundit vijnë pasi Prishtina dhe Beogradi dështuan të merreshin vesh në takimin që liderët e dy vendeve patën në Bruksel në 18 gusht. Në 18 gusht pala kosovare refuzoi të diskutojë me homologët serbë për çështjen e targave dhe letërnjoftimeve për serbët e veriut të Kosovës. Qeveria Kurti e quan kapitull të mbaruar çështjen e pajisjes me letërnjoftime dhe targa për serbët e veriut, në bazë të marrëveshjes që dy vendet kanë nënshkruar në Bruksel në vitin 2011 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Kujtojmë që muajin e kaluar respektimi i reciprocitetit nxiti tensione në veri të Kosovës, pasi serbët lokalë atje bllokuan rrugët në mënyrë demonstrative për të cilët Prishtina i akuzoi se aty gjendeshin edhe persona të armatosur.