Dy shtetas rusë dhe një ukrainas arrestohen nga policia shqiptare për spiunazh
(last modified Sun, 21 Aug 2022 18:52:50 GMT )
Gusht 21, 2022 20:52 Europe/Tirane
  • Dy shtetas rusë dhe një ukrainas arrestohen nga policia shqiptare për spiunazh

Dy shtetas rusë dhe një ukrainas janë arrestuar nga policia shqiptare dhe dyshohen se kanë kryer aktivitete spiunazhi në Shqipëri.

33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, me pasaportë ruse, Mikhail Zorin 23-vjeç me pasaportë ruse, dhe një tjetër i ri me pasaportë ukrainase janë arrestuar nga autoritetet shqiptare mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh. “Jemi turistë. Kemi pasion fotografinë e uzinave të braktisura. Menaxhojmë faqe në instagram dhe nuk i përkasim asnjë agjencie inteligjente”. Kështu janë shprehur para autoriteteve shqiptare 3 personat e ndaluar pasi kanë tentuar të futen në uzinën e Gramshit. Para mbërritjes në Shqipëri ata kanë qenë në Bullgari, Itali dhe Greqi.  Svetlana Timofeeva  pjesë e personave që u përfshinë në incidentin e Gramshit pasditen e të shtunës,  nuk është një emër i panjohur për agjencitë inteligjente Europiane. Ajo ka një histori interesante udhëtimesh nën shoqërinë e disa personave që pretendojnë se janë “fotografë”. Njëri prej tyre ish i fejuari i saj Arseniy Kotov pjesë e ushtrisë ruse, u arrestua më Kajro të Egjiptit në Janar 2022. Ai u tha autoriteteve të Egjiptit se ishte një bloger dhe u godit nga disa banorë lokal. Pas një ndërhyrje disa javore të Ministrisë së Jashtme Ruse ai u la i lirë për tu rikthyer në Rusi. Për autoritetet shqiptare është e dyshimtë se pse 3 rusët shkuan në uzinën e Gramshit. Aktualisht kjo uzinë është konservuese por në të ardhmen mund të riaktivizohet.