Qeveria shqiptare pretendoi sërish për një sulm kibernetik nga burime iraniane
Ministria e Brendshme e Shqipërisë pretendoi të shtunën se një nga sistemet e saj kufitare u sulmua kibernetikisht nga i njëjti burim iranian kishte kryer sulmin e mëparshëm që së fundmi shkaktoi ndërprerjen e marrëdhënieve politike mes dy vendeve.
Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, në deklaratën e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë thuhet se pas sulmit ndaj sistemit të regjistrimit të hyrje-daljeve në 2 pikat kufitare të policisë shqiptare, të gjitha sistemet qeveritare, përfshirë sistemin e përgjithshëm të menaxhimit të informacionit për regjistrimin e hyrjeve dhe daljeve në vendkalimet kufitare janë mbyllur përkohësisht. Mediat vendase kanë raportuar për krijimin e radhëve të gjata në të paktën 2 pika kufitare në jug të këtij vendi. Tirana ka pohuar se rezultatet paraprake tregojnë se ky sulm ka qenë nga i njëjti burim që kreu sulmin e 15 korrikut, i cili çoi në vendimin e Tiranës pak ditë më parë për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Teheranin. Shqipëria, e cila është anëtare e NATO-s, së fundi ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe dëboi personelin e ambasadës së Iranit. Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) të enjten, duke vazhduar akuzat e pabaza të Perëndimit kundër Iranit, dënoi sulmin e fundit kibernetik kundër Shqipërisë, në të cilin qeveria e Uashingtonit dhe e Tiranës pretendojnë se ishte përfshirë Teherani. Gjithashtu, në përgjigje të akuzave të pabaza të Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë ndaj Iranit, zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara bëri të ditur se Kombet e Bashkuara nuk kanë asnjë informacion të pavarur për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë. Në përgjigje të veprimit anti-iranian të qeverisë shqiptare, Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit në një deklaratë të lëshuar të mërkurën njoftoi: "Si viktimë e sulmeve kibernetike, Republika Islamike e Iranit dënon çdo sulm kibernetik ndaj infrastrukturës civile në të gjitha format".