Vuçiq: Kemi një propozim nga Gjermania e Franca për Kosovën
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në adresimin e tij të përjavshëm për opinion, ka thënë se ka në tryezë një propozim nga Gjermania dhe Franca, i cili parasheh që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, pa njohje formale nga Beogradi.
“Pozicioni ynë sa i përket Kosovës po bëhet gjithnjë e më i komplikuar sepse sot kemi në tavolinë një propozim nga Franca dhe Gjermania, të cilin na është dashur ta diskutojmë sepse nuk mund ta hedhësh nga dritarja propozimin e dy fuqive më të mëdha evropiane”, tha Vuçiq.
Sipas tij thelbi i propozimit është që Serbia të lejojë Kosovën të bëhet anëtare e të gjitha organizatave ndërkombëtare.
Ai tha se Serbia është e gatshme të bisedojë, por anëtarësimi i Kosovës në OKB është i papranueshëm për Beogradin.
“Nuk mund të flas për detajet e atij propozimi, por thelbi i tij është që Serbia ta lejojë Kosovën të hyjë në të gjitha institucionet ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, kurse Serbia për këtë, nuk është e specifikuar, do të fitonte hyrjen e shpejt në BE dhe me siguri një përfitim të rëndësishëm ekonomik”, shtoi Vuçiq.
Ai tha gjithashtu se procedura për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës do të fillojë më 2 ose 3 nëntor. Ai tha se të gjithë kapitujt në negociatat me BE-në janë të lidhur me gjendjen në Kosovë dhe përafrimin e Serbisë me politikën e jashtme të BE-së.
Vuçiq theksoi se Serbia do të udhëhiqet nga interesat e veta kur bëhet fjalë për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe se "Serbia nuk i detyrohet askujt".
RTKlive