Komisioni Evropian propozon statusin kandidat për anëtarësim e Bosnjës në Bashkimin Evropian
Komisioni Evropian të mërkurën u rekomandoi vendeve të BE-së që t'i ofrojnë Bosnjës statusin e kandidatit për t'u bashkuar me unionin.
Komisioni Evropian ka rekomanduar statusin e kandidatit të Bashkimit Evropian për Bosnjë dhe Hercegovinën. Lajmin e ka bërë të ditur Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi këtë të mërkurë, teksa prezantonte progres-raportet e Këshillit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor për vitin 2022. “Bosnja dhe Hercegovina merr statusin e vendit kandidat. Një numër hapash janë ndërmarrë. Ne presim që Bosnja dhe Hercegovina të shfaqë prioritetin e saj, për çështjet e gjyqësorit, të sjellë një ligj të ri, për ndalimin e konflikteve të interesit, të ndërmarra hapa kundër korrupsionit. Ne po e bëjmë këtë për qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës”, theksoi ai. Bosnja dhe Hercegovina aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në vitin 2016 dhe tre vjet më vonë Komisioni Evropian dha opinion mbi aplikimin, duke përshkruar 14 prioritete reformash që vendi duhet të zbatojë përpara se t’i jepet statusi i kandidatit. Nëse BE-ja, e cila aktualisht ka 27 shtete anëtare, pranon rekomandimin, Bosnja do t'i bashkohet shtatë vendeve të tjera kandidate për në BE, Turqisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Shqipërisë, Moldavisë dhe Ukrainës. Procesi i anëtarësimit në BE mund të zgjasë me vite pasi vendet kandidate zbatojnë reforma që duhet të vlerësohen me kujdes nga Brukseli dhe ky proces mund të ndalet, siç ishte rasti me propozimin e Turqisë.