Lajçak: Me Kurtin diskutuam për targat dhe energjinë
(E plotësuar) Ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak. Ky i fundit pas daljes nga objekti i Qeverisë është deklaruar për mediat lidhur me atë çfarë ka diskutuar me të parin e ekzekutivit të Kosovës.
“Vazhduam diskutimet tona, që filluan së fundi e që vazhduan nëpërmjet intervenimit edhe të presidentit Macron, kancelarit Scholz dhe me telefonatën e sekretarit Blinken. Kemi diskutuar hapat e tjerë”, ka theksuar Lajçak.
Pikë tjetër në agjendë, sipas Lajçak, ishin çështjet aktuale, e në mënyrë të veçantë ajo për energjinë dhe ajo për targat e automjeteve.
“Sepse siç e dini, afati i fundit për to është 31 tetori. Prandaj është shumë e rëndësishme për mua, për ne dhe BE-në dhe komunitetin ndërkombëtar të dimë se cili është plani për të shmangur situatën, e cila mund të eskalojë dhe se kjo nuk është në interesin e askujt”, ka shtuar ai.
Duke folur për çështjen e energjisë, Lajçak ka thënë se janë në proces të konsultimit.
“Sepse ka rrezik që licenca e ‘Elektroseverit’ të tërhiqet, gjë të cilën ne nuk duam të ndodhë. Prandaj, kam ftuar të gjithë drejtuesit përkatës si KEDS, Elektrosever, të hënën e kaluar në Bruksel dhe gjatë tërë ditës kemi diskutuar situatën. Dhe sërish është e rëndësishme për mua që të sjellë, do të thoja konkluzionet tek kryeministri për të diskutuar rrugën përpara”, ka shtuar Lajçak.
Ai ka thënë se të hënën do të qëndrojë në Beograd, me të njëjtin qëllim, me të njëjtën agjendë e me të njëjtat çështje. “...dhe sigurisht se dua të gjej zgjidhje për çështjet që janë ende të hapura”, ka nënvizuar përfaqësuesi i posaqëm i BE-së.
Në pyetjen se a është viti i ardhshëm vendimtar për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës e Serbisë, Lajçak tha se “të gjithë janë të fokusuar në dialog dhe duan të shohin nga dialogu, që të prodhojë normalizim”.
“...Nuk do të thosha se viti i ardhshëm është vendimtar, por siç e kam thënë disa herë, ne kemi këtë dritare të mundësisë sepse zgjedhjet në BE e SHBA janë në vitin 2024. Prandaj mendoj se është përgjegjësi e jona që të mos e humbasim këtë dritare të mundësisë”, tha mes tjerash Lajçak.
Fillon takimi Kurti - Lajçak
Ka filluar takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak. Mediet kanë marrë vetëm pamje nga oborri i ndërtesës së Qeverisë, ndërkohë është paralajmëruar se nuk do të ketë konferencë për medie.
Lajçak po qëndron në Kosovë, derisa gjatë ditës pritet të takohet edhe me zëvendëskryeministrin dhe njëherësh përfaqësuesin e Kosovës në dialog, Besnik Bislimin.
Ndryshe, për dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, është përmendet edhe në raportin e djeshëm të Komisionit Evropian. Në rekomandimet e KE-së thuhet se nga të dyja vendet, kërkohet angazhim urgjent për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
Së fundmi, Franca dhe Gjermania kanë shtuar përpjekjet për të shtyrë përpara dy vendet drejt arritjes së një marrëveshjeje. Me datën 4 shtator, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron përmes një letre dërguar kryeministrit Kurti dhe presidenti serb Vuçiq, kërkuan që të jenë të gatshëm për vendime të vështira në dialog.
RTKlive