Vuçiç: “Po na kërkojnë të heqim dorë nga Kosova”
Çështjet e hapura të dialogut mes Kosovës e Serbisë kanë përbërë boshtin e takimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak në Beograd.
Vuçiç përsëriti se Serbia insiston në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. “Një bisedë serioze dhe e përgjegjshme me Mirosllav Lajçak mbi çështjet e hapura në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Ne do të vazhdojmë të luftojmë që ta ruajmë shtetin dhe popullin tonë, duke insistuar në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe në respektimin e ligjit ndërkombëtar”, ka shkruar presidenti serb në rrjetet sociale. Vuçiç deklaroi se ka presion nga vendet e perëndimit për njohjen e Kosovës. “Është ajo ana e historisë që ju thotë të hiqni dorë nga Kosova, sepse vetëm atëherë do të merrni një dhuratë të vogël dhe nëse nuk ju themi saktësisht se cila do të jetë ajo dhuratë e vogël, ajo do të jetë ende e vogël. Dhe nëse ju shkon ndërmend të refuzoni, atëherë jeni në telashe. Unë po ju them vetëm këtë që të dini vetëm një gjë. Sot askush nuk më kërcënon si Aleksandër Vuçiç, për shkak të pozitës së presidentit të Serbisë, por kërcënojnë hapur gjithë vendin tonë dhe mbijetesën e tij”, u shpreh ai.