Analistët: Të shtyhet apo mos shtyhet afati për targa
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i133932-analistët_të_shtyhet_apo_mos_shtyhet_afati_për_targa
Një ditë me parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u tha jo propozimeve për zgjatjen e afatit për konvertimin e targave nga KM në RKS, që përdorën nga disa serbë lokalë në veri të vendit.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Tetor 26, 2022 13:03 Europe/Tirane
  • Analistët: Të shtyhet apo mos shtyhet afati për targa

Një ditë me parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u tha jo propozimeve për zgjatjen e afatit për konvertimin e targave nga KM në RKS, që përdorën nga disa serbë lokalë në veri të vendit.

“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje më 31 korrik. E kemi shtyrë për një muaj dhe në vend se të jetë më 1 tetor, është data 1 nëntor”, tha kryeministri Kurti.

“Pra data e fundit është 31 tetori kur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilat kanë automjete me targa të stërvjetëruara të kohës së Millosheviqit, do të kenë mundësi t’i konvertojnë ato në targa legale”.

Megjithatë, analistët politik janë të ndarë në opinione, rreth kundërshtimit të kryeministrit Kurti,  për shtyrjen e këtij afati, gjatë të cilit vazhdon edhe fushata e informimit për lehtësirat që kanë qytetarët serbë, nëse vendosin t’i kalojnë targat e automjeteve të tyre në RKS. 

Analisti politik, Adrian Çollaku, kundërshtimin e Kurtit  e konsideron të ndërlidhur me marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Por, në anën tjetër, analistit Blerim Burjani deklaron se  Kurti ende nuk ka dhënë përgjigje në propozimin e bërë nga BE dhe SHBA, për shtyrje të këtij afati.

Burjani thotë se ka ende kohë, por rikujton se kryeministri Kurti duhet të jetë i kujdesshëm në këtë fazë të dialogut, tani kur palëve u është dhënë një dokument Franko-Gjerman.

Analisti Çollaku thotë se  Kurti ka paralajmëruar se nuk do të ketë më shtyrje të vendimit për targa, pavarësisht kërkesës amerikane.

“Nëse Kurti tërhiqet sërish nga ky vendim, e shoh si një sinjal që do ta nënshkruaj marrëveshjen përfundimtare. Ndërsa, nëse Kurti nuk tërhiqet nga ky vendim, i bie që ai nuk është i gatshëm ta nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë”, thotë Çollaku për RTKlive.

Sipas tij, kundërshtimi i amerikanëve, nuk do të ketë pasoja direkte.

“Nuk do të ketë pasoja direkte një kundërshtim i Kurtit, por ka rrezik të krijojë tension në veri, e që më pas do të përdoret nga Serbia, se Kosova nuk është e gatshme për dialog”, shprehet Çollaku.

Ndërsa analisti Blerim Burjani, thotë se Kurti ende nuk ka dhënë përgjigje në propozimin e bërë nga BE-ja dhe SHBA-ja për shtyrjen e afatit për konvertimin e tabelave të vjetra në RKS.

“Ka ende kohë, por se duhet të jetë i kujdesshëm në këtë fazë të dialogut kur tash palëve u është dhënë një dokument Franko-Gjerman”, thotë Burjani.

“Pres dhe duhet dhënë përparësi dhe hapësirë të plotë , arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse, e jo t’u jepet përparësi zgjidhjeve gjysmake ose tensioneve”, tha Burjani për RTKlive.

Sipas tij, tash Kurti, ka kohë deri në skadim të afatit të dhënë për ndërrimin e targave dhe se reagimi i tij me kohe, do të jetë pozitiv.

“Mendoj se zgjidhje përfundimtare është e vetmja çështje politike që na intereson ne, po sikur bashkë me të edhe njohja në qendër si rezultat final. Për mua në kuptimin e zgjidhjeve më shumë më intereson qëllimi përfundimtar sesa çështjet teknike që marrin kohë shumë, nuk ofrojnë zgjidhje,  por përplasje ciklike, tensione”.

Ai beson se dështimi me i madh i BE-së në këtë format është dhënia e mundësive që palët të merren vesh vet edhe përmes copëzave të shumta marrëveshjeve.

Burjani rikujton se janë plot 33 marrëveshje të arritura më parë dhe pa ndonjë qellim final.

“Tash modaliteti është me i qartë, zgjidhje e përhershme që e duam ne, dhe nuk duhet të pranojmë zgjidhje gjysmake, zgjidhje transitore, por vetëm zgjidhje të përhershme dhe stabile”, tha ai.

Në anën tjetër analisti politik Dorajet Imeri  tha se vendosja e afatit të parë që skadon këto ditë, ka qenë në pajtim me amerikanët dhe evropianët.

Sipas tij, ky afat është kërkesë e tyre dhe sigurisht se ata kur kanë kërkuar një shtyrje, kanë menduar se do të jetë e mjaftueshme për serbët që t’i regjistrojnë veturat e tyre me targa të Kosovës.

“Serbia duke i instrumentalizuar serbët lokalë, nuk e ka respektuar këtë marrëveshje. Qëllimi i Serbisë është që të shtyjë  Qeverinë e Kosovës të marrë aksione në veri për të vendosur rendin kushtetues dhe për të respektuar marrëveshjen, çka do të ishte pastaj si mundësi që Serbia përmes serbëve lokalë të destabilizojë  Kosovën”, thotë  Imeri për RTKlive.

Ai shprehet se  Kosova duhet të vendosë rendin e ligjin në harmoni e dakordim me faktorët e jashtëm, sidomos ata amerikanë.

Ndërkaq, për kundërshtimin e shtyrjes së afatit edhe për 10 muaj, Imeri konsideron se palët duhet të dakordohen mes vete.

“Kosova është shtet sovran dhe vepron konform politikave të saj, të dakorduara me amerikanet”, tha Imeri.

Shtyrjen e afatit për targat për 10 muaj Kosovës ia kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, pasi kanë thënë se nuk duan tensionim të situatës në veri.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar publikisht se kanë kërkuar nga kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani një shtyrje dhjetëmuajshe të afatit për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Esbobar ka thënë se këtë kërkesë për shtyrje e kanë bërë të gjitha vendet e Kuintit – Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia.

RTKlive