Vizita e Ursula von der Leyen në Kosovë
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i133954-vizita_e_ursula_von_der_leyen_në_kosovë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, mbajtën konferencë për media, pas takimit që patën në presidencë.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Tetor 27, 2022 15:06 Europe/Tirane
  • Vizita e Ursula von der Leyen në Kosovë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, mbajtën konferencë për media, pas takimit që patën në presidencë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u deklarua edhe lidhur me takimin e Listës Serbe, drejtuesit e së cilës sot patën takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd.  

Ajo tha se Serbia është shtet që kërcënon me masa antiligjore, për arsyen e vetme se përse  Kosova po e zbaton ligjin.

“Krejt kjo shpjegon gjithçka. Pra Serbia kërcënon me dhunë, pse Kosova po zbaton ligjin, e po sigurohet për sundim të ligjit”.

Presidentja Osmani u shpreh se – “kjo është ajo piktura e madhe të cilën ne vazhdimisht insistojmë që të gjithë ta shohin”.

Presidentja e Republikës deklaroi se çështja e targave është mbi të gjitha cështje e zbatimit të ligjit, e respektimit të parimeve dhe standardeve më të larta evropiane e ndërkombëtare të cilat Kosova i respekton.

“Ne po zbatojmë ligjin dhe po mbrojmë qytetarët tanë pa dallim. E si rezultat i kësaj,  Serbia po kërcënon me dhunë e barrikada, që janë shkelje e të drejtës së lirisë së lëvizjes”, u shpreh presidentja Osmani.

“Ne do të punojmë bashkë me partnerët tanë që këto skenarë ruse, të mos kenë vend në Ballkanin Perëndimor”.

“Derisa Serbia ka zgjedhur të vallëzojë me melodinë e Putinit, ne nuk duhet të lejojmë që të ketë rezultate të tensionimit dhe destabilizimit e rajonit tonë”, u shpreh Osmani, sipas së cilës, e gjithë puna e Kosovës  është koordinimi i plotë me partnerët dhe aleatët e saj,  që të mbrohet paqja, stabilitet e  demokracia.

“Mbi të gjitha, të sigurojmë sundim të ligjit dhe barazi përballë tij,  për të gjithë qytetarët e Kosovës,  pa dallim etnie apo dallime të tjera”.

Von der Leyen: 75 milionë euro ndihmë Kosovës

Bashkimi Evropian do t’i ndihmojë Kosovës me 75 milionë euro për të ndihmuar bizneset e prekura nga efekti zinxhir i rritjes së çmimeve dhe krizës energjetike. Kështu deklaroi Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, në konferencën për media me presidenten Vjosa Osmani.

“Të gjitha procedurat besoj se do të përfundojnë brenda këtij viti në mënyrë që marrëveshja të fillojë të zbatohet nga janari”, tha Von der Leyen.

Duke folur për krizën energjetike, presidentja e Komisionit Evropian u shpreh se furnizimi me rrymë i Kosovës, vjen nga thëngjilli dhe importi.

“Qasja jonë është se do të ofrojmë mbështetje për të ndërtuar kapacitete të reja, për të zëvendësuar thëngjillin me prodhim të energjisë së pastër”, tha Von der Leyen.

Ajo deklaroi se BE-ja ka plan prej 500 milion euro me të cilin do të mbështeten vendet e rajonit.

“Në periudhën  afatshkurtër,  Kosova është e përfshirë në politikat e BE-së”.

Ajo deklaroi se edhe vendet e BE-së janë duke kursyer energji, dhe kanë arritur ta bëjnë këtë deri në 15%, krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar.

“Energjia në nivel global është e pamjaftueshme,por duhet të kursejmë sa më shumë”.

Presidentja e KE-së deklaroi se reformat që po bëhen tani janë për të ulur dhe mbajtur çmimet e gazit dhe energjisë nën kontroll.

“Dua të jem shumë e qartë që ne do të kemi dimër të vështirë, por tani jemi shumë më mirë të përgatitur, sesa para tetë muajve”.

Ajo tha se përkundër ndërprerjes së gazit rus, 100 milionë kubik të gazit rus që janë ndërprerë, janë zëvendësuar  me gaz nga SHBA, Azerbajxhani e Norvegjia.

“Kemi mbushur edhe magazinat e BE-së edhe ju do të përfitoni nga ky efekt”.

“Kemi rregulla të solidaritetit edhe në rast të ndërprerjeve të ashpra. Ju siguroj se Kosova është në kuadër të këtyre planeve të BE-së”.

Osmani: Detajet e planit franko-gjerman, do t’i shpalosim |Video

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se vazhdimisht ka qenë në dijeni për iniciativën franko-gjermane për një marrëveshje, që do të sillte paqe afatgjate mes Kosovës e Serbisë.

Madje, ajo u shpreh se për një gjë të tillë, ka folur edhe publikisht.

“Kam deklaruar publikisht se ka iniciativë të tillë dhe që do t’i shpjegohet lidershipit të Kosovës më në detaje gjatë javëve e muajve në vazhdim”, tha presidentja e Republikës.

“Do të ketë takim të institucioneve të Republikës së Kosovës, nën udhëheqjen e  BE-së edhe me palën gjermane edhe me palën franceze, për detajet e kësaj  iniciative që ka për qëllim paqen e stabilitetin në rajon”.

Presidentja Osmani u shpreh se këto detaje, sapo të merren nga institucionet e Kosovës, të gjitha përgjigjet do të shpalosën para qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Osmani: Luftojmë kundër bandave,  jo qytetarëve, presim mbështetje|Video

Presidentja Vjosa Osmani se sa i përket çështjes së targave është më ndryshe. Ajo tha se ka kohë të gjatë që qytetarët serbë të Kosovës po respektojnë ligjin dhe po i konvertojnë targat në ato që njihen me ligj dhe po i largojnë ato të kohë së Millosheviqit.

“Si rezultat i kësaj, po u digjen shtëpitë, po u digjen makinat. Rasti i fundit ka ndodhur mbrëmë”, tha presidentja Osmani.

Sipas saj, të gjitha këto veprime të strukturave ilegale e kriminale që janë në listën e zezë të SHBA-së, në esencë dëshmojnë se është në kuadër të sundimit të ligjit.

“Kosova është rikonfirmuar si shteti me reformat më të mëdha në të gjithë Evropën në fushën e sundimit të ligjit nga World Justice Project dhe reformuesi i dytë në botë. Kjo dëshmon që veprimet tona kanë qenë të drejta”.

Ajo tha se veprimet e Kosovës janë për sundimit të ligjit dhe për barazi të të gjithëve para ligjit dhe assesi kundër qytetarëve serbë të Kosovës.

“Vetë fakti që mbi 90 për qind e serbëve të Kosovës përdorin targat legale të Kosovës, është dëshmi se ky veprim nuk është kundër qytetarëve të serbë”.

Presidentja tha se ajo pakicë që ende nuk i ka konvertuar këto targa është për shkak të kërcënimeve që po u bëhen, përfshirë djegie të veturave dhe shtëpive që po bëjnë strukturat ilegale e kriminale.

“Lufta jonë është luftë kundër bandave e në këtë luftë për sundim të ligjit, presim të kemi mbështetjen e vazhdueshme të aleatëve tanë edhe në BE edhe në SHBA”.

Duke folur për çështjen e dialogut, presidentja Osmani deklaroi se ky është një proces në të cilin Kosova është jashtëzakonisht e angazhuar dhe e përkushtuar.

“E ky angazhim për paqe e stabilitet afatgjatë nuk do të mungojë asnjëherë”.

Von der Leyen për targat: Shkurt e qartë, rregullat të respektohen |Video

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, doli  shkurt dhe shumë qartë për çështjen e targave të automjeteve, të cilat qytetarët serbë të Kosovës po hezitojnë t’i ndryshojnë nga ato KM në ato valide, RKS.

 “Shumë shkurt dhe shumë qartë. Mendoj se është shumë e domosdoshme që rregullat të respektohen”, tha presidentja e KE-së, Von der Leyen.

“Rregullat janë të qarta dhe  duhet të respektohen në çdo shtet”.

Presidentja e KE-së deklaroi se nëse ka periudhë transitore, atëherë tranzicioni duhet të jetë përfshirës dhe të shkojë siç duhet.

“E di se është duke u punuar për të gjetur një zgjidhje”, tha Von der Leyen.

“Gjithashtu iu uroj për përpjekjet që po bëhen në kuadër të dialogut”  

E pyetur nga gazetarët për çështjen e liberalizimit të vizave, ajo edhe një herë tha se Kosova ka plotësuar të gjitha standardet e nevojshme.

“E kemi thënë në vitin 2018 dhe e kemi përsëritur edhe këtë vit, para disa javësh. Në aspektin teknik janë plotësuar standardet”, tha Von der Leyen.

“Komisioni është plotësisht në anën tuaj dhe do të mundohemi ta bindim tërë Këshillin”.

Lidhur me sistemin e sigurisë,  ETIA, që është përmendur si propozim nga Franca që të pritet që Kosovës t’i liberalizohen vizat, kur ai sistem të hyjë në funksion në nëntor 2023, Von der Leyen tha se- “ky sistem është i pavarur nga ky proces (liberalizimi i vizave)”.

“ Është proces i rëndësishëm për BE. Të gjithë e dini sistemin ESTA për SHBA-në dhe  është praktikisht sistem i njëjtë”, tha Von der Leyen.

“Ky sistem do të jetë i pavarur nga kriteret për viza”.

Von der Leyen: Jam aleate e juaja, meritoni liberalizimin e vizave |Video

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fjalën e saj deklaroi se takimi me presidenten Osmani ishte shumë i mirë dhe është njoftuar pers ë afërmi edhe një herë me përparimin që ka arritur Kosova.

“Keni  punuar shumë dhe vendi juaj vazhdon të demonstrojë përkushtim të madh në rrugëtimin evropian”, tha Vond er Leyen. “Keni treguar vlerat tuaja drejt integrimit evropian dhe me përafrimin e  plotë me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë”.

Më tej, presidentja e KE-së u shpreh se Kosova ka ndërmarrë reforma dhe kjo punë e zellshme është reflektuar edhe në raportin e fundit për zgjerim, e që është shumë pozitive për Kosovën.

“Keni bërë përparim edhe në përpjekjet për të luftuar korrupsionin, jo vetëm duke ndërtuar gjyqësorin, por edhe ekonomi solide”.

Presidentja Von der Leyen e pranoi se e ka dëgjuar shumë mirë presidenten Osmani, sa i përket  liberalizimit të vizave të qytetarët e Kosovës.

“Ta dini se keni aleatë. Kosova meriton liberalizim e vizave dhe i keni përmbushur të gjitha standardet”, tha Von der Leyen.

“E kemi rikonfirmuar si Komision Evropian se keni plotësuar të gjitha kriteret”.

Ajo tha se detyra tashmë është që të bindet tërë Këshillin Evropian për liberalizim të vizave - “e shumica janë në anën tuaj”.

“E mira është që bisedimet kanë filluar, por mund të llogarisni tek unë personalisht dhe Komisioni, sepse keni bërë punë mbresëlënëse, përkundër shumë vështirësive”.

Ndër të tjera, presidentja e KE-së foli edhe për luftën në Ukrainë duke rikujtuar se është Rusia ajo që po terrorizon qytetarët e atjshëm, duke bombarduar objektet civile, me qëllim që ata të mos kenë rrymë e ngrohje, ndërkohë që dimri po afron.

“E Rusia po e shfrytëzon energjinë si armë”, tha Von der Leyen.

“Edhe ju jeni prekur, por ju sigurojmë se BE asnjëherë nuk  do të dorëzohet pranë këtij shantazhi, sepse jemi përkrah me ju”.

Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen deklaroi se është me rëndësi që Kosova të ketë qasje në blerjen e gazit.

“Biseduam në hollësi për sfidat e ndryshme dhe kam besim se vetëm duke punuar së bashku, një ditë do të jeni pjesë e BE-së dhe e mirëpres këtë po aq sa edhe ju”.

Osmani: Të palëkundur pro BE-së, por ende të izoluar me viza nga BE|Video

Presidentja Osmani deklaroi se vizita e presidentes Von der Leyen konfirmon  përkushtimin e  Komisionit Evropian ndaj Kosovës e rajonit, në këtë periudhë përcaktuese për të gjithë kontinentin.

“Është vendimtare  që BE-ja të na qëndrojë pranë në përballje me krizat, si atë energjetike”, tha presidentja Osmani.

Ajo më tej u shpreh se beson që ka ardhur koha që BE-ja të ndërmarrë veprime konkrete për integrimin e vendeve demokratike  të Ballkanit Perëndimor  në strukturat e BE-së- “që është parakusht për paqe e stabilitet”.

“Kjo është natyrisht për vendet që duan të bëjnë hapa serioz për integrime”, tha Osmani, duke lënë të kuptohet e ka vende të tilla si Serbia, që janë kundër integrimit në strukturat euro-atlantike, por e cila mban kursin e saj drejt Rusisë.

Duke iu drejtuar presidentes Von Der Leyen, presidentja Osmani  rikujtoi e ajo është në dijeni për  përkushtimin e saj  për integrimin e rajoni të Ballkanit Perëndimor, prandaj beson se vizita e saj është dëshmi për këtë.

“Ne radhitemi të parët në Evropë e të parët në ëë për forcim të ligjit, por pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës mbesin të izoluar në zëmër të kontinentit”, tha Osmani, duke ia rikujtuar presidentes së KE-së, se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, madje që nga viti 2018.

Një vlerësim i tillë është bërë disa herë nga vetë Komisioni Evropian, presidente e së cilës është vetë Von der Leyen.

“Për kosovarët ka kaluar kohë e gjatë që përkundër plotësimit të kritereve, nuk ka ndodhur liberalizimi”, tha presidentja Osmani.

Sidoqoftë , ajo falendëroi presidenten e KE-së për qëndrimin e saj të vazhdueshëm Kosova ka përmbushur kriteret.

“Vendet anëtare ende nuk kanë marrë vendim brenda Këshillit, por shpresoj se kjo padrejtësi e madhe do të përmirësohet”, tha Osmani.

“Kosova është serioze në aspiratat e saj për integrime në BE. Kosova është 100 për qind e angazhuar në përputhje me politikën e BE-së, përfshirë edhe miratimin e sanksioneve ndaj Rusisë”.

Presidentja Osmani u shpreh se kjo është dëshmi për progresion edhe nga Raporti i Progresit.

“Ju përgëzoj për mbështetjen për Ukrainën sepse si njerëz që kemi përjetuar një luftë gjenocidi, e kuptojmë rëndësinë e madhe që të kemi mbështetjen e aleatëve”.

Osmani siguroi presidenten e KE-së se Kosova do të luajë rolin  e saj të plotë në përkrahje të Ukrainës dhe luftës ndaj ndikimit të Rusisë.

“Lufta e paprovokuar e Rusisë ka shkaktuar tronditje. Na brengosin aktivitetet destabilizuese të Rusisë dhe satelitëve të saj”.

“E dimë që  ju kemi një aleate të fuqishme e përkrahëse të fuqishme”.

RTK