Mbrojtje më e mirë për kufijtë, RMW marrëveshje me Frontex
(last modified Fri, 28 Oct 2022 06:20:07 GMT )
Tetor 28, 2022 08:20 Europe/Tirane
  • Mbrojtje më e mirë për kufijtë, RMW marrëveshje me Frontex

Maqedonia e Veriut është vendi i fundit që ka nënshkruar marrëveshjen e Frontex për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian.

Bullgaria fqinje, kishte kundërshtimet e saj për nënshkrimin e Frontex-it, për shkak të çështjeve mbi gjuhën maqedonase, dhe vuri veton ndaj marrëveshjes për 4 vjet. Sofja më pas pranoi një kompromis të propozuar nga francezët gjatë presidencës së BE-së në fillim të këtij viti dhe mosmarrëveshja midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë u tejkalua përfundimisht me nënshkrimin e marrëveshjes së re.  “Ju premtova se Marrëveshja e Frontex-it do të nënshkruhet, do të përkthehet në gjuhën maqedonase, pa fusnotë, në baza të barabarta të gjitha njëzet e katër gjuhët e Bashkimit Evropian dhe sot e dorëzuam”, u shpreh Von der Leyen gjatë vizitës në Shkup. Maqedonia e Veriut është një nga vendet përgjatë të ashtuquajturës rrugë ballkanike të emigrantëve nga Lindja e Afërt dhe Afrika, prandaj u ekspozua ndaj presionit të fortë në kulmin e krizës së emigrantëve në vitin 2015. Një nga problemet me të cilat ballafaqohet vendi ishte krim i organizuar në lidhje me transportin e paligjshëm të emigrantëve. “Migrimi është një nga  kërcënimet dhe sfida që nuk mund të zgjidhet kurrë me një strategji dhe politikë kombëtare, por me një zbatim të një politike rajonale globale. Vlera më e madhe e nënshkrimit të marrëveshjes me Komisionin Evropian është se ne praktikisht do të zbatojmë një politikë të vetme evropiane në trajtimin e migracionit”, shprehet Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme. Ky nënshkrim i marrëveshjes së Frontex nga Maqedonia e Veriut do të forcojë aftësinë e policisë në misionin e saj për të mbrojtur kufijtë e jashtëm të BE-së nga kalimet e paligjshme të emigrantëve. Në të njëjtën kohë, hedh poshtë spekulimet e shumta për refuzimin e gjuhës maqedonase nga blloku, që ishte një nga arsyet e vonesës së mbështetjes për integrimet evropiane të Maqedonisë së Veriut.

Tags