Brukseli: S`komentojmë çdo ndërveprim të Lajçakut me partnerët në rajon
Situata në veri të Kosovës, duket se i ka komplikuar gjërat edhe për emisarin special të BE-së, i ngarkuar me dialogun Kosovë-Serbi, sllovakun Miroslav Lajçak.
Ai të premten ishte në Beograd, në një vizitë të paparalajmëruar, e ku pati një takim të gjatë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në lidhje me lëvizjet dhe përpjekjet e Lajçakut, Paloma Hall Caballero, zyrtare për media në Zyrën e Përfaqësuesit për Politikë të Jashtme e Siguri, në përgjigje për RTKlive, sqaron se takimet e ngjashme të diplomatit sllovak që punon për llogari të BE-së, janë pjesë e punës së tij.
“Është pjesë e punës së Përfaqësuesit Special të BE-së, Lajçak, të udhëtojë dhe të takojë partnerë në rajon, si dhe në BE e më gjerë”, thotë Hall Caballero për RTKlive.
“Ne nuk njoftojmë domosdoshmërisht dhe nuk komentojmë çdo takim pune apo ndërveprim të tij me partnerët në rajon”.
Hall Caballero deklaron se këto vizita pune zhvillohen në kuadër të çuarjes përpara të procesit të dialogut dhe vazhdimit të diskutimeve për marrëdhëniet gjithëpërfshirëse të normalizimit.
“...Si edhe për çështjet aktuale që lidhen me dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, thotë Hall Caballero.
Të premten, i dërguari posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka vizituar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në kohën kur serbët në veri të Kosovës, kishin paralajmëruar bojkotimin e institucioneve, për shkak të shkarkimit nga autoritetet kosovare të drejtorit të Policisë për Mitrovicën e Veriut.
Kjo pasi ky i fundit kishte refuzuar ta zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’i qortuar të gjithë qytetarët që në veturat etyre bartin targat ilegale “KM”.
RTKl