Kurti publikon pamjet nga Pallati Élysée
Kryeministri Albin Kurti ka publikuar fotot nga darka e mbrëmshme me presidentin francez, Emannuel Macron në Paris.
V. Thaçi / RTKlive
"Pas diskutimeve në Forumin e Paqes në Paris, mbrëmë patëm nderin dhe kënaqësinë të jemi në darkën solemne në Pallatin Élysée. Bashkë me gruan time Ritën, u pritëm nga Presidenti Francez Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë e Francës, Brigitte Marie-Claude Macron", ka shkruar kreu i ekzekutivit në Facebook, teksa postuar disa foto nga hyrja në Pallatin Élysée me bashkëshorten e tij si dhe foton e përbashkët me presidentin Macron dhe zonjën e parë të Francës.
Kryeministri i Albin Kurti dhe bashkëshortja e tij, Rita Augestad Knudsen, mbrëmjen e së premtes morën pjesë në darkën zyrtare, në Pallatin Élysée, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe Zonjën e Parë, Brigitte Macron.
Kryeministri Kurti ndodhet në Paris, me ftesë të presidentit Macron për të marrë pjesë në punimet e Forumit të Paqes.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, derisa i është drejtuar Forumit të Paqes në Paris, tha se Kosova ka filluar normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë 11 vjet më parë, ndërkaq edhe pas 11 vjetësh raportet nuk janë më të mira dhe, sipas tij, ka një arsye të qartë për këtë.
Shefi i ekzekutivit në kryeqendrën franceze foli edhe për pasojat që ka sjellë lufta e Rusisë në Ukrainë edhe për Kosovën.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu, mbrëmjen e së premtes morën pjesë në darkën zyrtare në Pallatin Élysée me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Presidentja Osmani ndodhet në Paris me ftesë të presidentit Makron për të marrë pjesë në punimet e Forumit të Paqes.
Ajo, në një postim në Facebook, ka shkruar se kishte kënaqësinë të pritej në darkën e organizuar nga Presidenti Macron.
“Sonte bashkë me Prindonin, kishim kënaqësinë të pritemi në darkën e organizuar nga Presidenti Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë Brigitte Macron në Pallatin Élysée”, shkruan Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë adresimit të saj në “Forumin e Paqes” në Paris, ka thënë se e përfaqëson një shtet, i cili ka qenë viktimë e gjenocidit para 23 vjetësh, por që është kthyer në storien më të madhe të suksesit të bashkëpunimit euroatlantik.