Kurti: Me Asociacion, Beogradi kërkon kompensim për luftën e humbur
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i134922-kurti_me_asociacion_beogradi_kërkon_kompensim_për_luftën_e_humbur
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për agjencinë austriake të lajmeve APA, ka folur për zhvillimet e fundit në vend dhe dialogun Kosovë-Serbi.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Nëntor 15, 2022 19:46 Europe/Tirane
  • Kurti: Me Asociacion, Beogradi kërkon kompensim për luftën e humbur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për agjencinë austriake të lajmeve APA, ka folur për zhvillimet e fundit në vend dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Kurti ka thënë se do të plotësohen vendet vakante në institucionet e Kosovës në veri, të lëna bosh pas dorëheqjes së serbëve. Ai ka thënë se edhe deputetët e Listës Serbe do të zëvendësohen në bazë të Ligjit të zgjedhjeve. “Në do të organizojmë zgjedhje të reja në katër komunat veriore. Nuk mund të lejojmë vakuum institucional”, deklaroi Kurti për APA. Duke folur për vendet e lëna bosh në Kuvendin e Kosovës, Kurti ka thënë se nëse Lista Serbe nuk dëshiron të futet në Kuvend dhe Qeveri, “do të gjenden partnerë të tjerë”, duke aluduar në subjektet e tjera politike të serbëve të Kosovës, ashtu siç e parashikon Kushtetuta. Ai ka thënë se edhe policët do të zëvendësohen “sepse duhet të garantojmë rendin dhe sigurinë për të gjithë që jetojnë në ato zona”. “Ne kemi nevojë për policë të mirë, me integritet personal dhe profesional, pavarësisht nga etnia e tyre”, deklaroi Kurti. Tensionet në zonë u shtuan pasi qeveria e Kosovës filloi me 1 nëntor zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për shtyrjen e afatit. Punonjësit serbë u tërhoqën nga të gjitha institucionet vendase me 4 nëntor.