Vuçiç: Nuk jam optimist për takimin me Kurtin
Presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se nuk është optimist për takimin e 21 nëntorit në Bruksel, ku do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Unë do të shkoj në Bruksel. Nuk mendoj se mund të bëjmë diçka, por po shkoj që të mos jap arsye që Serbia të akuzohet se nuk dëshiron të bëjë asgjë”, tha Vuçiç më 20 nëntor në një intervistë për televizionin Prva. Vuçiç ka konfirmuar se takimi do të fillojë në orën 8 në mëngjes, dhe ka ripërsëritur kushtet e Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe anulimin e vendimin për targat. Takimi mes palëve pritet të ndodhë në ditën kur sipas planit të Qeverisë së Kosovës parashihet të nisë zbatimi i fazës së dytë për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, e cila parasheh gjobë prej 150 euro. Ende nuk është e qartë se a do të veprojë Qeveria e Kosovës sipas planit. I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse autoritetet e Kosovës fillojnë t’i ndëshkojnë shoferët që nuk i kanë riregjistruar veturat e tyre, Vuçiç tha se serbët “nuk do ta pranojnë këtë”. Ndërsa në pyetjen se si do të reagojë Serbia nëse Njësitë speciale të Policisë së Kosovës marrin pjesë në zbatimin e vendimit, presidenti i Serbisë tha: “Atëherë kemi ferr në terren, sepse Njësia speciale e Kosovës nuk ka çfarë kërkon në veri të Kosovës”. Vuçiç tha se shpreson që të mos ketë konflikt të armatosur.