Kurti: Eliminimi i dhunës, betejë që na takon të gjithëve
Sot në Prishtinë është bërë lansimi i Protokollit Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës.
Protokolli është një dokument pune dhe mjet praktik për tu përdorur nga të gjitha institucionet përgjegjëse për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale. Gjatë ceremonisë së lansimit të protokollit shtetëror, Kryeministri i Kosovës , Albin Kurti, tha se puna profesionale me përgjegjësi dhe përkushtimi serioz dhe ndjeshmëria për vënien e drejtësisë janë tipare të cilat i bëjnë institucionet serioze në veprim dhe të përgjegjshme në zbatim të plotë të detyrave dhe misionit që kanë
Ai tha se jo rrallëherë sistemi i drejtësisë ka pësuar nga brishtësia e vet në mungesë të mekanizmave të mirëfilltë të cilët përcaktojnë dhe i precizojnë fushëveprimet e kur adresohen rastet dhe lëndët përkatëse.
Kurti shtoi se ky protokoll shtetërorë synon të qartësoj të gjitha institucionet përgjegjëse se nuk ka rëndësi nëse viktima apo e mbijetuara kontakton së pari në urgjencë, denoncon rastin në polici, kontakton me mbrojtësin e viktimave, apo kërkon ndihmën e qendrave të specializuara të shërbimeve për gratë e dhunuara.
“E rëndësishme është se pavarësisht se cili institucion merr informacionin i pari për rastin, duhet të fillojë menjëherë trajtimi me përgjegjësi dhe profesionalizëm, dhe duhet të përmbushën të gjitha nevojat specifike të viktimave nëpërmjet qasjes shumë sektoriale e të kombinuar, pra nuk mund të lejohen papërgjegjësi të tilla ku institucionet i hedhin fajin njëra tjetrës për mos veprim, dhe shmangin përgjegjësit apo neglizhojnë thirrjet e viktimave të dhunës”, tha Kurti.
Kryeministri e përfundoi fjalimin duke thënë se eliminimi i dhunës është një betejë që na takon të gjithëve.
Kurse Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se protokolli shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale është një nga dokumentet më të rëndësishme që ka hartuar Ministria e Drejtësisë. Sipas saj, të dhënat tregojnë që ka një numër të madh të rritjes së dhunimeve seksuale. Nga viti 2019 deri në vitin 2021, janë 311 raste të ekzaminimit të mjekësisë ligjore”, tha Haxhiu.
Ndërsa, shefi i misionit të EULEX-it të Kosovë, Lars Gunnar Ëigemark, tha se 85 për qind të rasteve të dhunës seksuale të raportuara kanë qenë gra nën moshën 18-vjeçare. Sipas tij, për shkak të stigmatizimit, meshkujt nuk duan që ta raportojnë këtë.
RTKlive