Kurti me gjermanët diskuton për aplikimin e Kosovës në Partneritet për Paqe
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i136796-kurti_me_gjermanët_diskuton_për_aplikimin_e_kosovës_në_partneritet_për_paqe
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë të martë ka qenë nikoqir i takimit me Sekretaren e e Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes së Republikës së Gjermanisë, Siemtje Möller që njëherësh është edhe Zëvendësministre e Mbrojtjes.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Dhjetor 20, 2022 16:40 Europe/Tirane
  • Kurti me gjermanët diskuton për aplikimin e Kosovës në Partneritet për Paqe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë të martë ka qenë nikoqir i takimit me Sekretaren e e Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes së Republikës së Gjermanisë, Siemtje Möller që njëherësh është edhe Zëvendësministre e Mbrojtjes.

Shefi qeveritar u shprehu mirënjohje delegacionit gjerman për kontributin e çmuar që ka dhënë Republika Federale e Gjermanisë për çlirimin, pavarësimin dhe shtetndërtimin e Kosovës, derisa ka theksuar rolin dhe rëndësinë që ka KFOR-i në Kosovë.

Në këtë takim, sipas njoftimit të  lëshuar nga ekzekutivi, kryeministri vlerësoi rolin dhe mbështetjen e Gjermanisë, duke ritheksuar rëndësinë që Qeveria e Kosovës i kushton Procesit të Berlinit, si mundësia më e mirë për bashkëpunim mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për integrim në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu thuhet se u bisedua për mbështetjen lidhur me qëllimin e Republikës së Kosovës për përgatitje për aplikim dhe pranim në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s,  si dhe në organizata tjera ndërkombëtare.

Ndërkohë, Sekretarja Möller vlerësoi marrëdhëniet e mira dhe të thella ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Në këtë takim, siç bëhet e ditur, u tha se vizitat e shpeshta të nivelit shtetëror i rikonfirmojnë marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Gjermanisë, si dhe i shërbejnë thellimit të mëtejmë të miqësisë dhe të bashkëpunimit.

RTKlive