Protestuesit në Rudare: S`jemi kundër shqiptarëve, por kundër Kurtit|Video
Në fshatin Rudare afër Zveçanit, po vazhdon protesta e serbëve të Kosovës për shkak të arrestimit të ish-policit kosovar, Dejan Pantiq.
Në fillim të protestës, i pari që i është drejtuar protestuesve ishte Predrag Pantiq, djali i të arrestuarit Dejan Pantiq. Ai tha se ndaj babait të tij, “po zhvillohet një proces politik” dhe ssipas tij, ai po mbahet në paraburgim,e dhe pse është i pafajshëm.
"Babai im është shpallur fajtor pa vendim gjykate. Mua dhe nëns sime, nuk na lejohet ta vizitojmë. Nuk kemi dëgjuar nga ai nëse është mirë apo jo", tha Predrag Pantiq.
Më pas, ish-gjyqtari Nikola Kabasiq, iu drejtua protestuesve duke pretenduar se Pantiqit "po shkelen të gjitha të drejtat e njeriut".
"Ne nuk kemi problem me shqiptarët, kemi bashkëpunuar mirë në punë”,tha ai.
“Ne kemi problem me kryeministrin e Qeverisë së Kosovës Albin Kurti dhe ministrat e tij”, tha Kabasiq. “Ne kemi jetuar më parë me shqiptarët dhe do të jetojmë”.
Sipas tij, ka frikë për shkak të listës së supozuar sekrete për arrestime dhe në këtë listë janë serbët e pafajshëm.
Ish-kryetari i komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq, tha se “në barrikada nuk ka kriminelë, por vetëm njerëz që i përgjigjen terrorit të Albin Kurtit”.
"Ne po kërkojmë lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar padrejtësisht, tërheqjen e Njësive Speciale të policisë nga veriu i Kosovës. Ne serbët jemi populli më i kërcënuar në Evropë", shtoi Milloviq.
Përveç qytetarëve të katër komunave në veri, në protestë janë edhe serbët nga komunat tjera të Kosovës.
Serbët lokalë tashmë janë mbledhur në fshatin Rudare në Mitrovicën e Veriut.
Ashtu siç kanë paralajmëruar organizatorët, sot në mesditë në këtë vend mbahet protestë.
Pjesëmarrës janë persona të moshave të ndryshme dhe numri i tyre është relativisht i madh.
Shumë nga ta kanë ardhur në mënyrë të organizuar me autobsë, por ka edhe nga ata që kanë mbërritur me automjete private.
Pjesëmarrës janë serbë edhe nga qytete të tjera të vendit, pasi veturat e parkuara në afërsi të vendit ku mbahet protesta, janë me targa nga rajone të ndryshme të vendit si 01, 06 apo 03.
Situata është e qetë dhe ajo po monitorohet nga forcat e sigurisë, si policia e EULEX-it, Policia e Kosovës dhe KFOR-i.
Policia e Kosovës iu bën thirrje qytetarëve në veri që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar përgjatë thirrjes së protestës së sotme në veri. Policia thotë se është duke e monitoruar situatën dhe kërkon nga protestuesit që mos të bien preh e provokimeve.
“Duke ditur rrethanat dhe situatën e brishtë të sigurisë të krijuar nga grupet kriminale në veri të vendit dhe tendencës për destabilizim të situatës, Policia e Kosovës fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar përgjatë thirrjes së kësaj proteste, të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato” thuhet në njoftimin e Policisë.
Reagimi i Policisë vjen pas paralajmërimit të serbëve në veri për organizimin e një proteste.
“Sot, në veri të Mitrovicës është paralajmëruar të mbahet një protestë/tubim, andaj lidhur me këtë Policia e Kosovës duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe detyrave të përcaktuar sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sipas policisë, se angazhimet e këtij institucioni në forcimin e rendit dhe sigurisë publike do të vazhdojnë.
“Ofrimi sigurisë ndaj qytetarëve si dhe ndërmarrja e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në veri të vendit, do të vazhdojnë të mbesin ndër objektivat dhe detyrat primare të Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, në Rudar kanë nisur tashmë të mblidhen protestuesit serbë. Protesta e cila është paralajmëruar të mbahet sot. Pritet të nis nga ora 12, ndërsa në këtë rajon janë parë forca të shtuara të Policisë së Kosovës, EULX-it dhe paqeruajtës të KFOR-it.
RTK