Janar 13, 2023 13:51 Europe/Tirane
  • Kurti: Austria është mike e ngushtë dhe partnere e rëndësishme e Kosovës

Pas përfundimit të vizitën në Vjenë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka vlerësuar shumë të rëndësishme vizitën në Austri dhe pritjen që i ka bërë kancelari Karl Nehammer. Kurti thotë se ndihet i nderuar me mikpritjen e kancelarit Nehammer në vizitën e tij të parë zyrtare për këtë vit, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

"Austria është mike e ngushtë dhe partnere e rëndësishme e Kosovës. Marrëdhëniet tona bilaterale janë të shkëlqyeshme. E megjithatë ka vullnet të dyanshëm që ato të thellohen edhe më shumë sa në rrafshin politik, aq në atë ekonomik e kulturor. E falënderova Kancelarin Nehammer për ftesën e tij, bashkëpunimin e afërt dhe mbështetjen e hapur për Republikën e Kosovës, posaçërisht në integrimin evropian, dhe rrugëtimin e Qeverisë sonë reformiste”, ka shkruar Kurti pas vizitës.

Gjatë qëndrimit njëditor në Vjenë, Kurti flet edhe për pjesëmarrjen në diskutimin e organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës, Instituti Austriak për Politika Evropiane dhe të Sigurisë dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri, me temë "Ballkani Perëndimor: pjesë kyçe e paqes së qëndrueshme në Evropë".

“Aty, në prani të akademikëve, diplomatëve, ambasadorëve dhe studentëve pata mundësinë të shpalos historinë tonë, prezantoj të arriturat tona si shoqëri, shtet dhe Qeveri, dhe të ndaj me ta qëndrimet e Republikës së Kosovës karshi zhvillimeve gjeopolitike në kontinentin tonë”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.

RTKLive

Tags