Haxhiu adreson kritika për mos hetim dhe gjykim të krimeve të luftës
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i138216-haxhiu_adreson_kritika_për_mos_hetim_dhe_gjykim_të_krimeve_të_luftës
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se kërkesa për lëshimin e urdhërarrestit ndërkombëtar për kriminelët e Masakrës së Reçakut është lajm i mirë për drejtësinë dhe shtetin sepse për herë të parë po shihen përpjekjet serioze për trajtimin e krimeve të luftës.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Janar 16, 2023 11:40 Europe/Tirane
  • Haxhiu adreson kritika për mos hetim dhe gjykim të krimeve të luftës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se kërkesa për lëshimin e urdhërarrestit ndërkombëtar për kriminelët e Masakrës së Reçakut është lajm i mirë për drejtësinë dhe shtetin sepse për herë të parë po shihen përpjekjet serioze për trajtimin e krimeve të luftës.

Haxhiu në një postim në Facebook ka thënë se ky është një lajm që qytetarët dhe familjarët e të vrarëve e prisnin prej vitesh.

Por, sipas saj qeverisjet e kaluara sikurse edhe sistemi prokurorial në krye me ish kryeprokurorin Lumezi nuk kanë pasur as vullnetin e as interesin për trajtimin serioz të këtyre krimeve ndaj popullit tonë.

“A duhet të japin përgjegjësi për gjithë këtë mosveprim?A duhet të japin përgjegjësi KPK që ende edhe përkundër faktit që kemi shtuar buxhetin që më shumë se 16 muaj, nuk është plotësuar me prokurorë e bashkëpunëtorë, Departamenti për krime lufte në kuadër të PSRK?A ka përgjigje sistemi se pse nuk po zbatohen dispozitat për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës edhe përkundër që kemi hequr pengesat?”, ka shkruar ajo.

Haxhiu ka thënë se është tejet e rëndë që misionet e instaluara në Kosovë, UNMIK e EULEX sikurse edhe sistemi jonë i drejtësisë nuk kanë bërë sa duhet në drejtim të hetimit dhe gjykimit të shumë krimineleve të luftës me qëllim që të sjellim drejtësi për qindra masakra në Kosovë sikurse edhe për Masakrën e Reçakut të cilën e rikujtuam dje.

“Shumë më tepër do të mund të bëhej menjëherë pas luftës, sidomos pas shpalljes së pavarësisë, e në veçanti nga 2018 e këtej. Institucionet tona jo vetëm që janë themeluar nga gjaku i të rënëve dëshmorë edhe martirë, por e kanë obligim themeltar të sjellin drejtësi për secilin krim të kryer nga shteti i Serbisë”, ka shkruar tutje Haxhiu.

RTKlive