Shtohen përpjekjet për marrëveshje Kosovë-Serbi, nuk ka afate kohore
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i138252-shtohen_përpjekjet_për_marrëveshje_kosovë_serbi_nuk_ka_afate_kohore
Intensifikimi i diplomacisë së SHBA-së dhe BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, do të vazhdojë derisa palët të arrijnë ndonjë marrëveshje, thonë njohës të rrethanave politike në vend. Ndërsa përfaqësues të partisë në pushtet thonë se është e vështirë të flitet për afate kohore se kur mund të arrihet ndonjë marrëveshje pasi pala serbe në vazhdimësi nuk ka zbatuar marrëveshjet.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Janar 17, 2023 10:31 Europe/Tirane
  • Shtohen përpjekjet për marrëveshje Kosovë-Serbi, nuk ka afate kohore

Intensifikimi i diplomacisë së SHBA-së dhe BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, do të vazhdojë derisa palët të arrijnë ndonjë marrëveshje, thonë njohës të rrethanave politike në vend. Ndërsa përfaqësues të partisë në pushtet thonë se është e vështirë të flitet për afate kohore se kur mund të arrihet ndonjë marrëveshje pasi pala serbe në vazhdimësi nuk ka zbatuar marrëveshjet.

Njohës të rrethanave politike në vend thonë se intensifikimi i diplomacisë ndërkombëtare, sidomos këtë muaj bëhet me të vetmin qëllim që të arrihen marrëveshje konkrete, e të cilat i hapin rrugë një marrëveshjeje finale. Të paktën kështu e sheh situatën analisti Arton Muhaxhiri.

“Presioni ndërkombëtare do të rritet si ndaj kryeministrit Kurtit ashtu edhe ndaj presidentit Vuçiq kështu që është e pritshme që të ketë intensifikim edhe të vizitave, takimeve më qëllim që të arrihen marrëveshje konkrete në rrugën e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare”, ka thënë Muhaxhiri.

Njohës të tjerë të rrethanave politike në vend theksojnë se diplomacia amerikane në veçanti nuk do të ndalet derisa palët e përfshira në dialog të arrijnë ndonjë marrëveshje. Ndërkaq përfaqësues të partisë në pushtet thonë se pavarësisht intensifikimit të diplomatëve të huaj në raport me dialogun Kosovë-Serbi, është e vështirë të caktohen afate për një marrëveshje finale, pasi kjo varet nga qëndrimi i palëve që do të kenë gjatë bisedimeve. Mimoza Kusari-Lila, nga Vetëvendosje, thotë se në këto rrethana është e rëndësishme që Kosova ka gatishmëri që të arrijë një marrëveshje përfundimtare.

“Është pak e vështirë të flasim për data dhe afate sepse bëhet fjalë për palë. Ne mund të flasim për gatishmërinë tonë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare sa më parë, përderisa nuk mund të japim garanci për palën tjetër, sepse flasim për një palë e cila deri më tani jo vetëm që nuk ka zbatuar marrëveshjet por gjithashtu jemi ballafaquar edhe me situata dhe tensione të tyre ndaj territorit të Kosovës, prandaj deri në këtë pikë mund të themi vetëm për gatishmërinë tonë....”, ka thënë  Kusari-Lila

Ndryshe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, dhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pritet që këtë të premte ta vizitojnë sërish Kosovën, e më pas edhe Serbinë. Vizita e tyre shihet si përgatitje e pistës për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë në Bruksel.

Radio Kosova